Maqedoni: Ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për emrin votohet për herë të dytë
Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në seancën e sotme votoi sërish ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit maqedono-grek për emrin dhe partneritet strategjik, sipas të cilit emri zyrtar i shtetit do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ligji u votua për herë të dytë në Kuvend, meqë Ligji nuk u nënshkrua nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Në seancën e sotme kuvendore prej gjithsej 120 deputetëve të pranishëm ishin 70, ndërsa deputetët e opozitës, të cilët Marrëveshjen me Greqinë e konsiderojnë si të dëmshme për shtetin, si edhe herën e kaluar, edhe sot nuk ishin të pranishëm në rivotimin, kur ky ligj më 20 qershor u miratua në Kuvend.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov u adresua para deputetëve në Kuvend, ndërsa duke u përqendruar në vërejtjet e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për shkak të të cilave tha se nuk do ta nënshkruajë Ligjin, Dimitrov theksoi se veçoria e identitetit dhe gjuhës maqedonase në pajtim me marrëveshjen nuk janë të rrezikuara.
“Marrëveshja përfundimtare jo vetëm që nuk do të rrezikojë identitetin maqedonas por edhe e riafirmon dhe e përforcon si asnjëherë deri më tani. Në praktikë do të sjellë etablim të identitetit dhe do ta tejkalojë betejën e përhershme për gjuhën, identitetin, do të hyjmë në BE, do të vulosen dokumente në gjuhën maqedonase me përkthim maqedonas”, theksoi Dimitrov.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë shtoi se edhe pas këtij votimi, në pajtim me ligjet, presidenti i shtetit është i obliguar ta nënshkruajë dekretin.
Dimitrov, në vërejtjet e Ivanovit se marrëveshjet ndërkombëtare i nënshkruan vetëm presidenti i shtetit, theksoi se marrëveshja ndërkombëtare në emër të Republikës së Maqedonisë mund të nënshkruajë edhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë.
Sipas tij, është e pavërtetë vërejtja e presidentit të shtetit, se marrëveshja përhap frikë dhe se sjellë Maqedoninë në gjendje të nënshtrimit ndaj Greqisë.
Para deputetëve u adresua edhe deputeti i koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja, Ferid Muhiq. Ai tha se nuk do të votojë kundër, por i përmbajtur. Muhiq tha se vet kushti për ndryshimin e emrit dhe të Kushtetutës është shkelje flagrante e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare, si dhe bëhet fjalë për precedent, ku asnjëherë deri tani nuk është kërkuar nga një shtet sovran ndryshimi i emrit dhe Kushtetutës.
“Kjo është shkelje e Kartës doemos duhet të notohet, zëri i këtij populli doemos të dëgjohet dhe bota ta dijë në çka janë të detyruar populli dhe shteti me këtë marrëveshje”, tha Muhiq.
Deputeti Muhiq shtoi se marrëveshja “krijon përshtypje të gabuar se kemi vjedhur diçka të huaj, se jemi kapur në vjedhje dhe se me pendim ia kthejmë pronarit të vërtetë dhe ai është i gatshëm të na fal”. Ai në adresimin e tij nga foltorja kuvendore, citoi kancelaren gjermane Angela Merkel, sipas të cilës “dinjiteti kombëtar nuk mund të jetë objekt i asnjë kompromisi”.
Fraksion.com