AktualitetRajoniTë fundit

Zaev: Mbështetja britanike motivim plotësues për integrimet në BE dhe NATO

Mbështetja e madhe të cilën Mbretëria e Bashkuar ia jep Maqedonisë për realizim të integrimeve euro-atlantike, paraqet motivim plotësues për përshpejtimin e reformave për prosperitetin ekonomik të të gjithë qytetarëve.

Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev në takimin në Qeveri me delegacionin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, në të cilin ishin Riçard Mur, drejtor i përgjithshëm për çështje politike dhe udhëheqësja e Sektorit për Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në Sektorin për Ballkanin Perëndimor, Ketrin Barns.

Siç njoftoi pres-shërbimi qeveritar, kryeministri Zaev është falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme britanike pozitivisht duke i vlerësuar marrëdhëniet bilaterale dhe dialogun politik i cili në nivelin më të lartë zhvillohet midis dy vendeve.

Përfaqësuesit e Qeverisë britanike, madje, thuhet, e kanë përshëndetur marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Greqisë për emrin dhe bashkëpunim strategjik, e nënshkruar më 17 qershor të këtij viti, duke shfaqur bindje se përmirësimi i marrëdhënieve me Greqinë dhe me fqinjët e tjerë shton energji për realizimin e perspektivave të Maqedonisë në BE dhe NATO.

Përfaqësuesit e MPJ-së britanike me kryeministrin Zaev kanë biseduar edhe për hollësitë nga Samiti vijues kushtuar Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 korrik në Londër, ndërsa në të cilin një nga temat kryesore do të jetë ndihma gjatë transformimit digjital.

“Në këtë drejtim, është konstatuar se Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore mbetet e përkushtuar në stabilitetin ekonomik, zhvillimin e infrastrukturës dhe tregtisë me qëllim të avancimit të lidhshmërisë së vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, qëndron në kumtesë.

 

Fraksion.com