AktualitetBota+Të fundit

Vritet i biri i al-Baghdadit

I biri i shefit të grupit militant Shteti Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, është vrarë në një sulm vetëvrasës në qytetin Homs në Sirinë perëndimore.

Sipas medies së IS-it, al-Nashir News, e cila postoi fotografitë e të riut që ajo e portretizoi si Hudhayfah al-Badri, i biri i al-Baghdadit, ai humbi jetën në një operacion kundër trupave ruse të stacionuara në Homs dhe trupave qeveritare siriane, të cilave IS-i ju referohet si Nusayriyyah.

Media tha se ai vdiq në operacionin “inghimasi”, një shprehje që përdoret për të përshkruar një operacion në të cilin një luftëtar me jelek me mjete shpërthyese dhe i armatosur që sulmon pozicionet e armikut para se të hedh veten në ajër me qëllim që të shkaktojë sa më shumë dëme.

Ushtarakët amerikanë thanë se i kanë parë njoftimet por nuk i kanë konfirmuar ato.

“Do të ishte e papërshtatshme që të komentojmë një sulm që ka ndodhur mbi forcat jashtë koalicionit tonë. Nuk kemi asgjë për të thënë”, i thanë Zërit të Amerikës në komandën qendrore amerikane.

Irakiani al-Baghdadi, emri i vërtetë i të cilit është Ibrahim Aëad al-Badri, shpalli themelimin e kalifatit Shteti Islamik në qershor të vitit 2014 në Mosul dhe e shpalli vetën kalif. Që atëherë ai është bërë personi më i kërkuar në botë për kokën e të cilit është shpallur një shpërblim prej 25 milionë dollarësh.

Fati i al-Baghdadit është i panjohur dhe ka pasur disa herë njoftime për vdekjen e plagosjen e tij, përfshirë edhe pohimin e ministrisë ruse të Mbrojtjes sipas së cilës, ai mund të jetë vrarë në një sulm ajro rus në vitin 2017.

Këto pretendime janë mohuar nga zyrtarët amerikanë dhe vendndodhja e udhëheqësit të pakapshëm mbetet e panjohur.

Roli famëkeq i al-Bagdadit në IS e ka vënë në qendër të vëmendjes familjen e tij. Në mars të vitit 2014, gruaja e al-Baghdadit, Sujidah al-Dulaimi, u lirua, së bashku me dy djemtë dhe vajzën e saj, në këmbim të 13 murgeshave të marra robinja nga militantët e Frontit al-Nusra të lidhur me al-Qaidën.

Është raportuar se vetëm vajza ishte e bija e al-Baghdadit. Të dy djemtë ishin të një burri me të cilin gruaja ishte e martuar para se të takonte al-Baghdadin.

 

Fraksion.com