Sejko: Ndërhymë te kursi i këmbimit se po rrezikohej inflacioni, kursi është stabilizuar, ekonomia në rrit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, gjatë një konference për shtyp ka dhënë detaje lidhur me ndërhyrjen e fundit të jashtëzakonshme në tregun valutor. Sipas tij, arsyeja kryesore ishte për të ruajtur objektivin e inflacionit të institucionit monetar qendror.
“Në momentin që pamë që kursi do ndikonte negativisht në inflacionin e pritur, mund të na çonte në një situatë në nivelin zero, morëm vendim për të tërhequr tepricën e valutës”, tha ai.
Sejko shtoi se ata për momentin arritën që ta stabilizonin kursin e këmbimit, por ata nuk arrijnë të parashikojnë dot si do të jetë ecuria e kursit në të ardhmen.
“Kemi filluar aplikimin e programit të ndërhyrjeve duke blerë në treg, e ndaluam mbiçmimin e mëtejshëm të lekut”, tha ai, duke shtuar se në bazë të ecurisë, do të gjykohet sa do të vazhdojë ky program.
Sejko tha se valuta që qarkullon në vend, sidomos ajo që hyn në tregun informal është praktikisht e pamatshme. Banka e Shqipërisë ka të dhëna vetëm për valutën që qarkullon në sistemin bankar, e cila është rreth 4 miliardë euro.
Sejko nuk bëri të ditur një shifër, se sa është shuma me të cilën banka ka ndërhyrë deri tani. “Për programin e ndërhyrjeve, ne raportojmë në fund të çdo tremujori dhe deri tani është bërë publik vetëm tremujori i parë”.
Aktualisht jemi në një program ndërhyrje për efekt të kursit të këmbimit në inflacion, shtoi Sejko. Më parë kemi ndërhyrë për efekt të rritjes së rezervës valutor.
Sejko tha se tregjet financiare janë karakterizuar nga një zhbalancim relativisht i fortë i raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë, të cilat kanë sjellë dhe mbiçmimin e shpejtë të kursit të këmbimit. “Në opinionin tonë, ky zhbalancim është prodhuar nga faktorë të përkohshëm të tregut valutor”.
Sejko: Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë trende pozitive zhvillimi
Sejko tha se informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ekonomia shqiptare vijon të shfaqë trende pozitive zhvillimi. “Në veçanti, rritja ekonomike e tremujorit të parë rezultoi më e lartë se pritjet tona, ndërsa inflacioni i muajve prill e maj shënoi një rritje të lehtë krahasuar me tremujorin e parë. Tregjet financiare karakterizohen nga norma të ulëta interesi dhe tregues likuiditeti në përmirësim, por kursi i këmbimit vijon të shfaqet i fortë dhe rritja e kreditimit mbetet e ngadaltë”, tha Sejko.
“Rifreskimi i parashikimeve nuk ka sjellë ndryshime të ndjeshme në trajektoret e pritura të zhvillimeve të ardhshme. Skenari bazë i pritjeve tona sugjeron se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të rritet, duke sjellë dhe forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste. Kursi i mbiçmuar i këmbimit do të tentojë të frenojë inflacionin gjatë tremujorëve në vijim, por efekti i këtij faktori pritet të jetë kalimtar. Për rrjedhojë, inflacioni do të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektiv, brenda vitit 2020”.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare, i shprehur nëpërmjet minimumit historik prej 1% të normës bazë të interesit dhe nëpërmjet programit të përkohshëm të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor, mbetet i përshtatshëm.
Në vijim Sejko u ndal më në detaje:
Inflacioni regjistroi vlerën 2.1% në muajt prill e maj, kundrejt normës mesatare prej 1.9% të regjistruar në tremujorin paraardhës.
Nga këndvështrimi i përbërësve të shportës, rritja e inflacionit ka ardhur nga rritja e çmimeve të artikujve joushqimorë dhe e shërbimeve të strehimit. Nga këndvështrimi makroekonomik, inflacioni vijon të ndikohet në masë thuajse të njëjtë nga rritja e kostove të prodhimit dhe nga inflacioni i importuar. Megjithatë, analizat tona tregojnë se të dy këta komponentë janë prekur tashmë nga mbiçmimi i kursit.
Sipas të dhënave zyrtare të Instat-it, ekonomia shqiptare u rrit me 4.45% në tremujorin e parë të vitit. Të dhënat indirekte që disponojmë sugjerojnë po ashtu për norma pozitive rritjeje gjatë tremujorit të dytë. Nga këndvështrimi sektorial, zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur kryesisht nga rritja e sektorit industrial, dhe në veçanti nga rritja e prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike është ndihmuar nga zgjerimi i konsumit privat, i investimeve totale dhe i eksportit të mallrave e shërbimeve, por ajo është frenuar nga rritja e importeve.
Zgjerimi i kërkesës ka sjellë një shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese, sidomos në tregun e punës, ku norma e papunësisë zbriti në 12.5% dhe paga mesatare reale u rrit me 2.3% në terma vjetorë. Këto zhvillime sugjerojnë se përmirësimi ciklik i ekonomisë shqiptare po fillon të pasqyrohet në rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste.
Rritja ekonomike vijon të mbështetet nga një ambient i brendshëm monetar dhe financiar stimulues, nga rritja e punësimit dhe përmirësimi i besimit, si dhe nga zgjerimi i kërkesës së huaj.
Në pasqyrim të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë dhe të konsolidimit fiskal, normat e interesit në tregjet financiare shfaqen të ulëta dhe gjendja e likuiditetit është në përmirësim. Norma mesatare e interesit të kredisë në lekë zbriti në nivelin 6.3% në muajin maj, duke ndihmuar uljen e kostove të kreditimit dhe duke stimuluar rritjen vjetore të kredisë në lekë me 6.6%. Nga ana tjetër, e pastruar nga efekti i kursit të këmbimit dhe nga nxjerrja jashtë bilancit të bankave të kredive me probleme, kredia totale për sektorin privat regjistroi një normë rritjeje vjetore prej 4.9% në muajt prill-maj.
Ecuria e kreditimit vijon të ndikohet si nga kërkesa e ulët për kredi, ashtu edhe nga politikat ende të shtrënguara të kreditimit të ndjekura nga sektori bankar. Lidhur me këto të fundit, Banka e Shqipërisë gjykon se bilancet e bankave janë drejt shëndoshjes, sikundër ilustrohet nga rënia në 13.3% e raportit të kredisë me probleme në muajin maj. Po ashtu, rreziku i kredisë në vend vijon të shkojë drejt reduktimit, si pasojë e përmirësimit ciklik të ekonomisë dhe e masave të marra për zgjidhjen e kredive me probleme. Në këto rrethana, sektori bankar duhet të jetë më proaktiv dhe i vëmendshëm në plotësimin e nevojave afatmesme dhe afatgjata të ekonomisë për financim.
Së fundi, tregjet financiare janë karakterizuar nga një zhbalancim relativisht i fortë i raporteve të kërkesës dhe ofertës për valutë, të cilat kanë sjellë dhe mbiçmimin e shpejtë të kursit të këmbimit. Në opinionin tonë, ky zhbalancim është prodhuar nga faktorë të përkohshëm të tregut valutor. Megjithatë, mbiçmimi i kursit i rezultuar prej tyre u vlerësua i dëmshëm për përmbushjen e objektivit të inflacionit dhe kërkoi ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë për adresimin e tij.
Ndërhyrja në tregun valutor, e miratuar në datën 6 qershor dhe e vënë në zbatim në ditët vijuese, ka prodhuar tashmë efekte pozitive, duke frenuar trendin e fortë mbiçmues të kursit të këmbimit dhe duke mundësuar një aktivitet më të qetë dhe më normal këmbimi në këtë treg.
Pritjet tona për të ardhmen mbeten pozitive.
Bazuar në trendet aktuale të zhvillimit dhe në faktorët mbështetës të tyre, Banka e Shqipërisë pret rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik dhe shfrytëzim më të mirë të kapaciteteve prodhuese në horizontin afatmesëm. Këto zhvillime do të ndihmojnë në një rritje më të shpejtë të pagave dhe të kostove prodhuese, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2020.
Kursi aktual i politikës monetare është një faktor i rëndësishëm mbështetës i këtyre zhvillimeve. Nivelet e ulëta të normës bazë të interesit mundësojnë kosto të ulëta financimi, ndërsa programi i ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor ndihmon qetësimin e aktivitetit në këtë treg dhe frenimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit.
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:
– Të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%;
– Të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.
Në linjë me parashikimet tona për të ardhmen dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se kthimi në një trajektore rritëse i normës bazë të interesit nuk do të fillojë përpara tremujorit të dytë të vitit 2019.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm vazhdimin e programit të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor. Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës rithekson se programi i blerjeve të valutës është një instrument i jashtëzakonshëm dhe i përkohshëm i politikës monetare. Programi është i orientuar ekskluzivisht drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe është i diktuar nga ambienti me norma të ulëta interesi. Si i tillë, kohëzgjatja e tij do të jetë e kufizuar, e kushtëzuar nga shmangia e efektit negativ që kursi ka në përmbushjen e objektivit të inflacionit.