AktualitetEkonomiTë fundit

Ndryshon ligji për koncesionet PPP, financat kërkojnë më shumë kompetenca

Ligji Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat është përfshirë sërish në proces ndryshimi për ti dhënë më shumë kompetenca Ministrisë së Financave gjatë fazës së përgatitjes së koncesioneve me qëllim parandalimin e ndikimit negativ në stabilitetin fiskal.

Mirëpo ndryshimet po bëhen në një kohë që qeveria shqiptare ka koncesionuar rreth 200 kontrata për punë dhe shërbime publike me vlerë mbi 504 miliardë lekë. Ndërkohë që aktualisht po jepen me një intensitet koncesione të reja për ndërtimin e rrugëve nëpërmjet paketës “One Billion”.

Ministria e Financave në relacionin përkatës  për ndryshimet ligjore shprehet se nëpërmjet këtij projektligji synohet të rritet kontrolli i saj në  Ministrisë përgjegjëse gjatë fazës së përgatitjes së projekteve të koncesionet/PPP, për të mbajtur nën kontroll angazhimet fiskale të marra për sipër nga Autoritetet Kontraktuese me qëllim minimizim e impaktit të tyre në buxhet.

“Nisur nga fakti që kontratat e koncesionit/PPP janë afatgjata (me një afat që shkon maksimalisht 35 vjet) dhe përmbajnë rreziqe të shumta ku një pjesë e tyre janë mbajtur nga Autoritetet Kontraktuese, është e domosdoshme edhe monitorimi i këtyre rreziqeve nga ana e ministrisë përgjegjëse për Financat në rolin e Autoritetit Përgjegjës për monitorimin dhe menaxhimin e rreziqeve buxhetore” thuhet në relacionin përkatës.

Për të eliminuar çdo implikim të paparashikuar të Buxhetit të shtetit si rrjedhojë e angazhimeve financiare të pakontrolluara nga ana e Autoriteteve Kontraktuese dhe me qëllim që Ministria përgjegjëse për Financat të jetë në dijeni të të gjithë ecurisë së projekteve dhe kontratave të koncesionit/PPP, është e domosdoshme përfshirja në ligje dhe e parashikimeve mbi raportimin e ecurisë së këtyre kontratave, thuhet më tej në argumentet e ndryshimit të ligjit.

Gjithashtu financat synojnë që me anë të këtyre ndryshimeve synohet të rritet mundësitë e financimit të projekteve duke garantuar për institucionet financiare mekanizma të zëvendësimit të koncesionareve të cilat rrisin besueshmërinë dhe ulin ndjeshëm riskun financiar të projekteve.

Ndryshimi i kuadrit institucional i parashikuar në këtë projektligj do të sjellë përgatitjen me cilësi të studimit të fizibilitetit, i cili përbën thelbin e rezultateve dhe suksesit të një projekti koncesioni/PPP.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, i ndryshuar është një iniciative ligjore e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në fushën e përgjegjësisë orientimin dhe harmonizimin e veprimtarisë për zhvillimin e koncesioneve/PPP por njëkohësisht dhe hartimin e politikave për miradministrimin e buxhetit, në të cilat përfshihen: planifikimi dhe zbatimi i buxhetit, programimi strategjik dhe monitorimi i investimeve publike, monitorimi i marrëdhënieve financiare ndërqeveritare, kontrolli financiar i transaksioneve publike dhe hartimi i pasqyrave financiare të konsoliduara të qeverisë./Monitor

 

Fraksion.com