Koment: Kundër një projekti “Frikë për Evropën”
Ai do të jetë “ngritës urash”, thotë kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz si President i ri i Këshillit të BE. Kjo në një kohë kur me politikën e tij të migrimit ai kontribuon më tepër për përçarjen e Evropës.
Pavarësisht nga origjina e tij partiake, kryetari duhet të kujdeset për pajtim të interesave nacionale, ndjesive dhe synimeve politike. Këtu bën pjesë edhe që interesat vetjake të lihen mënjanë për një periudhë kohe.
Të ruajmë me nacionalizëm Evropën?
Është ironi e rastit dhe ka të bëjë me Brexitin, që Kurzi e sheh veten në këtë rol. Sipas radhës kryesinë këtë herë duhet ta merrnin britanikët, por ata u tërhoqën për shkak se do të dalin nga BE. Austria u afrua dhe me koalicionin qeveritar me FPÖ-në ekstremiste të djathtë mishëron atë, që disa e quajnë frymë të kohës në Evropë: kthimin krahëve demokracisë liberale.
Sido që të jetë, kryetari i FPÖ-së, Strache ndjek me zell bashkimin e radhëve me shokë të të njëjtit besim në vendet fqinje. Këtu po formohet një Internacionale e populistëve, në një kohë kur kryetari i qeverisë Kurz bën me mundim sikur nuk shikon dhe shqipton fraza boshe evropiane.
Me këtë ai bën një gabim themelor politik, sepse e hedh dëm që në krye besueshmërinë e tij. Por Kurzi në këtë drejtim nuk është i vetëm. Kursi i afrimit me hungarezin Viktor Orban, i cili së fundi planifikon t’i ndëshkojë në vendin e tij si kriminelë ata që ndihmojnë refugjatët, është në këtë drejtim mëkati i parë. Dhe këtu është në të njëjtën linjë e gjithë Partia Popullore Evropiane, e cila e mbulon me heshtje prej vitesh kursin e Orbanit drejt autokracisë dhe thirrjet moralizuese të së cilës dhe fjalimet proevropiane ka kohë që duken si hipokrizi.
Por Sebastian Kurzi do të na bëjë të besojmë se mund të nxitet njëkohësisht nacionalizmi dhe megjithatë në një farë mënyre të mbahet e bashkuar Evropa. Në fund të fundit nga të mirat e tij përfiton pikërisht Austria e vogël. Por njëra nuk përjashton tjetrën: ose në Vjenë do të kakarisin me zë të çjerrë “Austria e para”, ose kancelari do të punojë për bashkësinë. E njëjta gjë vlen për Italinë, ku Matteo Salvini mbyll portet dhe njëkohësisht bën thirrje për solidaritet nga evropianët. Dhe ajo që ndodhi në ditët e shkuara te CSU-ja në Berlin dhe në Mynih, i ngjan shumë një “Gjermania mbi të gjitha” dhe duket se del nga e njëjta qendër kërkimore. Ajo që shitet këtu është paketë mashtruese politike! Ose nacionalizëm ose Evropë – këtu duhet të vendosin shefat e shteteve dhe të qeverive. Kursi i gënjeshtërt politik i shërben vetëm forcimit të të djathtëve dhe përhap bërthamën e shkatërrimit evropian.
Trumpi dhe Putini janë problemet e vërteta të Evropës
Kancelari austriak ka vënë politikën e migrimit në qendër të punës së tij. Këtu pa dyshim që ka gjëra për të bërë, sepse ka vite që BE nuk bie dot dakord për zgjidhje të arsyeshme. Por temat më të rëndësishme duhet të jenë shpërbërja e bashkësisë perëndimore të vlerave, luftërat tregtare të Donald Trumpit dhe sulmi që pritet prej tij ndaj NATO-s. Ai që do mund të shtojë edhe qejfin për t’u përzjerë të Presidentit Putin. Atje janë rreziqet e vërteta për të gjithë ne, jo te rreth 40.000 migrantët që kanë mbërritur këtë vit në brigjet e BE. Nuk kemi nevojë për një projekt frikë në Evropë, me të cilin migrantët bëhen kurban për mangësi politike në shtetet anëtare, për mungesën e drejtësisë dhe të shpërndarjes të të mirave materiale. Nuk kemi nevojë për veprime unilaterale nacionale, të cilat e pengojnë trajtimin human dhe korrekt të fenomenit të përbotshëm të lëvizjeve migratore./ Barbara Wesel.DW
Fraksion.com