Çfarë është 4 korriku?
Çfarë është 4 korriku?
4 korriku, i njohur edhe si Dita e Pavarësisë, është dita në vitin 1776 kur delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan Deklaratën e Pavarësisë, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.
Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarre, parada, koncerte dhe piknikë.
Fishekzjarret
4 korrik është i njohur në të gjithë vendin si dita e fishekzjarreve. Mijëra komunitete anembanë vendit organizojnë shfaqje me fishekzjarre në mbrëmje, më mbresëlënësja e të cilave zhvillohet në Uashington, kryeqyteti i vendit.
Fishekzjarret në 4 korrik nuk janë diçka e re. Kongresi autorizoi përdorimin e fishekzjarreve si pjesë të festimeve të Ditës së Pavarësisë në vitin 1777 në Filadelfia dhe qysh nga ajo kohë, ato kanë qenë një mënyrë popullore për të festuar festën.
Secili shtet në Shtetet e Bashkuara ka ligjet e veta për shitjen e fishekzjarreve. Shumë shtete u lejojnë banorëve të blejnë dhe të përdorin lloje të caktuara të fishekzjarreve në shtëpitë e tyre.
Siguria
Ndërsa miliona amerikanë festojnë, zyrtarët lokalë dhe federalë të zbatimit të ligjit punojnë për të siguruar që festimet të zhvillohen pa incidente.
Policia do të jetë kudo e pranishme në qytetin e Nju Jorkut, ku do të zhvillohet shfaqja më e madhe e fishekzjarreve. Vitin e kaluar, rreth 3 milionë njerëz u mblodhën në qytet për të festuar festën. Një prani e madhe policore pritet gjithashtu në Uashington, ku qindra mijëra njerëz do të shohin shfaqjen e fishekzjarreve dhe do të dëgjojnë një koncert pranë Kongresit.
Këtë javë, policia në Ohajo arrestoi një të dyshuar që po planifikonte të shpërthente një bombë në festimet e 4 korrikut në Klivlend. Zyrtarët thonë se Demetrius Pitts, një qytetar i lindur në Amerikë, kishte shprehur besnikëri ndaj grupit militant të al-Kaidës dhe kishte synuar gjithashtu të vinte në shënjestër vende të tjera në Klivlend dhe Filadelfia.
Historia
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Dy ditë më vonë, delegatët nga 13 kolonitë amerikane miratuan Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga Thomas Jefferson.
Disa studiues konstitucionalë argumentojnë se amerikanët duhet të festojnë në të vërtetë më 2 korrik – dhe jo 4 korrik – për shkak të votimit historik.
Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, i cili zyrtarisht njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.