AktualitetTë fundit

Bilbilfryrësit, Shqipëria 609 persona në shtet dhe privat, 7 institucione të spiunuara

Janë të paktën 609 sinjalizues të regjistruar në Regjistrin e Inspektoratit KPKI nga të cilët 163 njësi janë të punësuar në institucionet shtetërore dhe 446 të tjerë pranë bizneseve që kanë mbi 100 të punësuar. Sipas kërkesave të ligjit ““Për Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizuesve” në administratën publike puna për ngritjen e njësive nisi në të vitit 2016 kur ILDKPKI, Tatimet, Komsioneri për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Departamenti i Administratës Publike kaluan në “sitë” gjithë insitucionet për të identifikuar ato me më shumë se 80 punonjës. Ndërkohe që për bizneset që përmbushnin kriterin e numrit të të punësuarve kërkesa për të ngritur një njësi specifike për sinjalizimin u bë në korrik 2017, shkruan Monitor.

“Me mbledhjen e informacionit të dërguar nga institucionet private, ILDKPKI përfundoi procesin e hartimit të Regjistrit Kombëtar të Njësive Përgjegjëse në Sektorin Privat, në të cilin janë pasqyruar të dhënat dhe funksioni i personave të ngarkuar për të zbatuar ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.  Nga të dhënat statistikore rezulton se në total janë ngritur dhe funksionojnë 446 njësi përgjegjëse në sektorin privat” vlerëson ILDKPKI.

Për të paktën 140 organizma që kishin detyrimin e ngritjes së strukturës së sinjalizuesve apo siç njihen rëndom “bilbilfryrës” Inspektorati ka vendosur gjoba pasi nuk është respektuar afati i kërkuar.

Pranë ILDKPKI nga ana e 161 institucioneve janë dërguar raporte lidhur me aktivitetin e njësive të veçanta.

“Inspektorati i Lartë ka marrë dhe ka administruar 161 raporte vjetore nga njësitë përgjegjëse pranë autoriteteve publike, ku nga analizimi i tyre konstatohet se në 7 njësi përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste në kuadër të ligjit nr. 60/2016, si më poshtë vijon

1.Shërbimi Kombëtar i Punësimit, në të cilin janë paraqitur dhe janë regjistruar 2 raste sinjalizimi.

2. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në të cilin është paraqitur pranë njësisë përgjegjëse 1 rast sinjalizimi,

3. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në të cilin është regjistruar 1 rast sinjalizimi, si kërkesë ankimore nga Ministria e Drejtësisë, ku në vlerësimin e kërkesave ligjore të parashikuara nga pika 1 e nenit 7 të ligjit nr. 60/2016 dhe pas verifikimit të të dhënave të sinjalizuesit në sistemin online të Regjistrit të Shtetasve, duke qenë se rezultoi se nuk ekziston asnjë shtetas me gjeneralitet e sinjalizuesit, njësia përgjegjëse referuar parashikimeve të gërmës a, pika 1, nenit 14 të ligjit nr. 60/2016, vendosi mosfillimin e procedurës së hetimit administrativ.

4. Bashkia Tiranë, në të cilin është regjistruar 1 rast sinjalizimi.

5. Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka raportuar 2 raste sinjalizimi.

6. Bashkia Mat ka raportuar për auditime të brendshme të kryera në bazë të një plani për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve mbi bazë risku. Për të gjitha problemet e konstatuara janë mbajtur akt verifikime dhe proces verbale, të cilat i janë bërë të njohura subjektit dhe Kryetarit të Bashkisë me Raport auditimi paraprak dhe përfundimtar.

7. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor është regjistruar 1 rast sinjalizimi i jashtëm ku pas vlerësimit të bërë nga njësia përgjegjëse është dërguar informacioni përkatës pranë ILDKPKI.

Çfarë janë bilbilfryrësit

Ligji “Për sinjalizimin dhe sinjalizuesit” vendos si kriter që në çdo institucion publik me më shumë se 80 punonjës dhe çdo biznes me më shumë se 100 punonjës duhet të ketë një strukturë të veçantë.

Qëllimi i këtij ligji është marrja e informacioneve dhe sinjalizimeve nga sinjalizuesit, njësia përgjegjëse ose e drejtpërdrejtë nga ILDKPKI për rastet e veprave penale të korrupsionit, çdo veprimi ose mosveprimi të kundërligjshëm sipas legjislacionit penal në fuqi, në lidhje me çdo formë të korrupsionit aktiv, korrupsionit pasiv, shpërdorimit të detyrës ose kompetencave, ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve, shpërdorimit të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, përfitimit të paligjshëm të interesave si dhe çdo akt tjetër të ngjashëm me to të kryer në subjektin tuaj nga pronarët, administratorët, drejtuesit dhe cilido tjetër, hetimin e këtyre rasteve nga ILDKPKI dhe përcjelljen e tyre organit të Prokurorisë dhe Policisë kur gjenden elementë të veprave penale të mësipërme.

Në Shqipëri sipas të dhënave të 2018-ës për ndërmarrjet aktive në vend janë të paktën 1500 të tilla që kanë mbi 100 të punësuar dhe që sipas ligjit duhet të ngrenë strukturën e sinjalizuesve.

 

Fraksion.com