AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Nuk mund të jemi as vende gardhesh, por as heronj shpëtimtarësh të vendeve të pasura

Në qytetin e Shkodrës është organizuar mbledhja e përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi.

Agjenda e këtij  organizimi ishte ceremonia zyrtare e pritjes së kabinetit qeveritar të Malit të Zi, ndërsa më pas mbledhja e përbashkët qeveritare dhe pas mbledhjes nënshkrimi i disa marrëveshjeve bashkëpunimi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe homologu i tij malazez, Dushko Markoviç, kanë dalë në një konferencë për mediat.

Kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me deklaratën e kreut të Departamentit për Mbikëqyrjen e Kufirit shtetëror në Mal të Zi, Vojsav Deagovic lidhur me mundësinë e ndërtimit të një gardhi në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi që lidhet me çështjen e fluksit të klandestinëve.

Kreu i qeverisë shqiptare, në konferencën e përbashkët me homologun malazez pas mbledhjes së dy qeverive, ka deklaruar se Shqipëria nuk është vendi i gardheve.

I pyetur për ofertën që Hungaria i kishtë bërë Malit të Zi, ku ishte treguar e gatshme për t’i dhuruar 25 km gardh, kryeministri deklaroi se edhe Shqipëria ka pasur oferta të tilla, pa treguar se nga cili vend.

Edhe ne kemi pasur oferta për të marrë gardhe dhuratë, por jemi një popull emigrantësh, jemi një popull që ka një histori krenare të shpëtimit të hebrejve dhe i vetmi vend ku hebrejtë kanë qenë më shumë. Sot në Shqipëri strehohen 3 mijë refugjatë iranianë dhe mos harrojmë se në këtë vend të vogël ishin mbi 500 mijë refugjatë lufte për shkak të spastrimit etnik të Millosheviçit”, deklaroi kryeministri Edi Rama

Kryeministri deklaroi se nuk mund të jemi as vende gardhesh dhe por as heronj shpëtimtarësh të vendeve të pasura

“Sot jemi të shtrirë në shumë vende, ku kemi gjetur mikëpritje, strehë dhe bëjmë jetën tonë.  Nuk jemi vendi për gardhe dhe për shfaqje refuzuese ndaj atyre që janë në nevojë ekstreme dhe që ikin nga zona ku kërcënohen me jetën e tyre dhe fëmijëve të tyre. Thënë këto bashkë me Malin e Zi ne nuk ishim pjesë e korridorit ballanik kur filloi kriza e madhe që tundi themelet e Europës. Bashkë me Malin e Zi ne kemi pasur një qasje të qartë. Jemi gati të marrin përsipër barrën e përgjegjësisë në kuadrin e një projekti europianë të ndarjes baraz, aq sa mundesi objektivisht dhe sa na takon në pikëpamje humane, ne jemi gati ta bëjmë. Nuk mund të jemi as vende gardhesh, por as heronj shpëtimtarësh të vendeve të pasura që nga njëherë janë të tunduara ti trajtojnë emigrantët si mbetje toksike”, tha Rama

 

Fraksion.com