AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump sulmon sërisht demokratët e opozitës

Katër muaj nga mbatja e zgjedhjeve të Kongresit amerikan, Presidenti Donald Trump sulmoi sërisht të martën demokratët e opozitës. Ai i akuzoi ata për “poshtërim” të agjentëve të zbatimit të ligjit të imigracionit si dhe për mos vlerësim të punës së tyre për t’i mbajtur kriminelët jashtë vendit.

Në një postim në Twitter, udhëheqësi amerikan shkruante: “si munden që demokratët, të cilët janë të dobët në kufi dhe në luftën ndaj krimit të shënojnë përparim në nëntor. Njerëzit e vendit tonë kërkojnë siguri, ndërsa demokratët janë më shumë të interesuar të kritikojnë dhe të poshtërojnë (dhe jo të financojnë siç duhet), forcat tona të zbatimit të ligjit”.

Republikanët e partisë së zotit Trump kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit, por sipas analistëve politikë, demokratët kanë shanse më të mira për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, me një mundësi të lehtë për të marrë kontrollin edhe në Senat.

Në komentet e tij, zoti Trump injoroi krizën e imigracionit në kufirin jugor me Meksikën, një urdhër i një gjyqtari federal për të ribashkuar më shumë se 2 mijë fëmijë me prindërit e tyre, të ndarë nga punonjësit e imigracionit për kalim të paligjshëm të kufirit amerikan. Urdhri bën thirrje për ribashkimin e fëmijëve të vegjël, atyre nën pesë vjeç, me prindërit e tyre deri të martën e ardhshme dhe fëmijëve më të rritur deri më 26 korrik.

Shtypi ka njoftuar se administrata Trump ka bërë pak përparim deri tani në zbatimin e urdhrit. Shumica e prindërve mbeten të ndaluar në shtetet jugperëndimore përgjatë kufirit dhe fëmijët janë shpërndarë në qendra strehimi në shtete të tjera të largëta. Pas kundërshtish mbarëbotërore mbi ndarjen e familjeve, zoti Trump urdhëroi që prindërit dhe fëmijët e tyre që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme, të mbahen së bashku në pritje të proçedurave ligjore.

Zoti Trump fajësoi demokratët për mos mbështetjen e Agjencisë për Imigracionin dhe Doganat, e cila ndihmon në patrullimin e kufirit.

Kritikë kryesorë demokratë të zotit Trump, disa prej të cilëve që po shohin mundësinë e një gare të mundëshme kundër zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të 2020-s, kanë bërë thirrje për shpërbërjen e Agjensisë së Imigracionit dhe Doganave si dhe rishqyrtimin e mënyrës se si SHBA-ja kontrollon fluksin e imigrantëve, në një kohë kur shumë prej të cilëve largohen nga krimi dhe varfëria në Guatemalë, Honduras dhe El Salvador.

 

Fraksion.com