Largimi i pjesëtarëve serbë nga FSK; Shantazh nga Serbia?
Tetë pjesëtarë të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës, u kanë kërkuar zyrtarëve që t’i lirojnë nga detyra për shkak të siç thuhet trysnisë së Beogradit ndaj tyre.
Që nga fillimi i këtij viti, zyrtarë në Serbi kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërsa kanë bërë thirrje edhe për largimin e serbëve të Kosovës të përfshirë në Forcën e Sigurisë që shihet si Ushtria e ardhshme e Kosovës. Disa raste të djegies së makinave kanë ndodhur në veriun e Kosovës, që lidhen kryesisht me familjarë të pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë.
Zëvendësministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani thotë për Zërin e Amerikës se qeveria është thellësisht e shqetësuar me ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të Serbisë në siç tha shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj serbëve të Kosovës. Ai thotë se Serbia ka shtuar trysninë në forma të ndryshme ndaj pjesëtarëve serb të Forcës së Sigurisë.
“Ka më shumë se katër muaj prej kur është rritur fushata e trysnisë dhe kërcënimeve nga ana e Serbisë ndaj qytetarëve serb të Kosovës duke përfshirë këtu edhe pjesëtarë të FSK-së, kryesisht përmes intervistimit dhe marrjes në pyetje, intimidimit të formave të ndryshme po r edhe të familjarëve të tyre dhe i ka vendosur në një situatë më të vështirë dhe të komplikuar”,tha zoti Ramadani.
Zoti Ramadani thotë se për të liruar nga detyra një pjesëtar të Forcës së Sigurisë kërkohen procedura dhe sipas tij do të merren në konsideratë të gjitha mundësitë që këta pjesëtarë të ndihmohen të qëndrojnë në detyrë. Ai thotë se për këto trysni kanë informuar edhe partnerët ndërkombëtare dhe se Kosova do të vazhdojë të mbështesë pjesëtarët serb në Forcën e Sigurisë.
“Ne mund t’i garantojmë të gjithë pjesëtarët e FSK-së edhe ata të komunitetit serb se janë të barabartë dhe kanë karrierë profesionale për vete, komunitetin e vet dhe shtetin e tyre Kosovën dhe Forca e Sigurisë nuk ndalet nga këto lloj trysni kjo vetëm sa e dëshmon edhe njëherë se Serbia po dëmton interesat e serbëve të Kosovës”,tha zoti Ramadani.
Njohës të zhvillime të sigurisë në vend thonë se aktet e fundit janë një shantazh që Serbia përmes instrumenteve të saj po ushtron ndaj komunitetit serb në Kosovë posaçërisht ndaj atyre që janë përfshirë në Forcën e Sigurisë.
Plator Avdiu nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë thotë se zhvillimet pozitive në këtë institucion me përfshirjen e komuniteteve po shtynë autoritetet serbe të ndërmarrin hapa të tillë.
“Kjo po ndodh pasi që viteve të fundit është rritur numri i komuniteteve që janë përfshirë në Forcën e Sigurisë dhe veçanërisht ka rritje të përqindjes së komunitetit serb që vijnë nga veriu i Kosovës që kanë aplikuar dhe janë pranuar në këtë forcë dhe shërbejnë sikurse pjesëtarët tjerë qoftë si popullata shumicë shqiptare apo komunitete tjera”,tha ai.
Zoti Avdiu thotë se autoritetet vendase nuk duhet të zmbrapsen nga trysnia dhe në të njëjtën kohë duhet të rrisin mbështetjen ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb.
“Pikërisht në momentin kur u tha se vitin e kaluar do të themelohet ushtria ne e pamë në mënyrë paralele edhe një integrim gradual të komunitetit serb në Forcën e Sigurisë së Kosovës kështu që nuk shoh ndonjë lloj bojkotimi që do t’i mund bëhej FSK-së”, tha zoti Avdiu.
Aktualisht në Forcën e Sigurisë së Kosovës shërbejnë rreth 135 pjesëtarë të komunitet serb, numër ky që është shtuar viteve të fundit.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua në janar të vitit 2009 në bazë të planit të kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Shndërrimi i saj në ushtri po pamundësohet për shkak të mospajtimeve të përfaqësuesve politik të serbëve të Kosovës të cilët bashkë me Beogradin vazhdojnë të kundërshtojnë ngritjen e tyre. Ata thonë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe rrezikon sigurinë e rajonit./VOA
Fraksion.com