Komisioni i BE: procedurë për shkelje të marrëveshjeve evropiane nga Polonia
BE reagon: Partia në pushtet në Poloni, PiS do t’i dërgojë disa gjyqtarë të Gjykatës së Lartë para kohe në pension. Gjykatësit e konsiderojnë këtë shkelje ligjore – BE është në anën e tyre.
3 korriku është teorikisht dita e fundit e punës e kryetares së Gjykatës së Lartë të Varshavës. Malgorzata Gersdorf dhe disa nga bashkëpunëtorët e saj, sipas direktivave të reja, që do të hyjnë në fuqi, duhet të dalin në pension. Komisioni i BE do ta pengojë këtë dhe prandaj nisi sot një procedurë për shkelje të marrëveshjeve evropiane nga Polonia.
Edhe gjykatësit e prekur nuk kanë ndër mend që t’i binden nxjerrjes me detyrim në pension. E konsiderojnë këtë thjesht të kundraligjshme. Për këtë kanë argumenta. Kushtetuta e Polonisë thotë qartë se gjykatësit e Gjykatës së Lartë zgjidhen për gjashtë vjet dhe lejohen të punojnë deri 70 vjeç. Veç kësaj ata nuk mund të shkarkohen nga detyra apo të pushohen nga puna. Madje as transferimet nuk janë të mundura. Gjykatësit që duan të vazhdojnë të punojnë, me gjithë rregullat e reja, kishin kohë deri në fillim të majit që t’i paraqisnin Presidentit deklarata të vullnetit. Vetëm me miratimin e tij do të ishte i mundur një qëndrim në post.
Gjykatësit ndjekin rrugët e tyre
Për Malgorzata Gersdorfin kjo është një procedurë absurde, të cilën ajo dhe bashkëpunëtorët e saj e kanë kundërshtuar që në krye. “Kushtetuta ma garanton këtë post të nderuar për gjashtë vjet dhe unë nuk shoh ndonjë shkak që të paraqes te pushteti ekzekutiv një lutje, kjo as që diskutohet”, thotë gjykatësja 66 vjeçare dhe Kryetare e Gjykatës së Lartë.
Profesoresha e juridikut, e cila është gruaja e parë në historinë e Polonisë në krye të Gjykatës së Lartë, e mban këtë post që në vitin 2014. Atë qeveritarët e kanë halë në sy, sepse ajo e kritikon publikisht reformën e drejtësisë. “Gjykatësja Malgorzata Gersdorf mbetet sipas kushtetutës së Polonisë kryetarja e parë e Gjykatës së Lartë deri në 30 prill 2020”, shkroi mbledhja e gjykatësve të Gjykatës, në një mbledhje të jashtëzakonshme këtë javë. Deklarata u miratua njëzëri.
Aktualisht Gjykata e Lartë ka 76 gjyqtarë. Prej tyre, 27 janë mbi 65 vjeç. Po të largohen, qeveria e PiS mund t’i zërë postet e tyre me gjykatës besnikë ndaj qeverisë. Veç kësaj, Gjykata e Lartë do të ketë për herë të parë ndihmësgjyqtarë, të cilët do të zgjidhen nga Senati (Dhoma e Dytë e parlamentit). Për qeverinë ka rëndësi që ta vërë Gjykatën më të Lartë sa më shpejt nën kontrollin e saj. Kjo gjykatë do të ketë mundësi që të vendosë për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Po këtë vjeshtë do të mbahen zgjedhje lokale dhe vitin e ardhshëm zgjedhje parlamentare.
Jo drejtësi paralele
Ministri i Drejtësisë Zbigniev Ziobro kërcënon me “hapa disiplinorë” kundër të pabindurve. “Në Poloni nuk ka drejtësi paralele, ka vetëm sistem drejtësie, i cili është i integruar në të drejtën në fuqi”, tha ai. Ai i paralajmëroi gjykatësit që të mos “qëndrojnë mbi ligjin”. Reforma e drejtësisë ishte një nga premtimet më të rëndësishme në zgjedhje të PiS nacionalkonservatore. Ajo drejtohet para së gjithash kundër një “kaste gjykatësish” që konsiderohet e vjetër, e cila sipas ministrit Ziobro kujdeset vetëm për interesat e saj dhe që gjoja është ende e ndërthurrur me të kaluarën komuniste./DW
Fraksion.com