Kamenos: do të përpiqem të bllokoj marrëveshjen për emrin
Marrëveshja për t’i dhënë fund polemikave për emrin midis Greqisë dhe Maqedonisë është në rrezik pas deklaratës së ministrit grek të mbrojtjes, i cili tha se do të përpiqet ta bllokojë atë.
Deklarata nxjerr në pah njëkohësisht brishtësinë e koalicionit qeverisës të Greqisë, një vit para zgjedhjeve.
Me një shumicë të vogël në parlament, kryeministri Aleksis Cipras do të ketë nevojë për mbështetjen e shtatë ligjvënësve të ministrit Panos Kamenos për marrëveshjen mbi emrin për t’u ratifikuar.
Por të martën në një konferencë shtypi, ministri i Mbrojtjes Kamenos tha se ai e refuzon marrëveshjen për të emërtuar republikën ish-Jugosllave “Maqedonia Veriore”.
“Për mua është një marrëveshje e keqe, nuk e pranoj, dhe do të përpiqem ta bllokoj”, tha ai.
Këto ishin komentet e tij të para që pas nënshkrimit të marrëveshjes së debatueshme më 17 qershor.
Marrëveshja nuk do të shtrohet për ratifikim në parlamentin grek para fundit të vitit.
Koalicioni i Cipras tani mbështetet nga vetëm 152 ligjvënës në parlamentin me 300 vende, pasi dy deputetë të partisë së djathtë Grekët e Pavarur të Kamenosit dhanë dorëheqjen nga partia muajin e kaluar.
Por marrëveshja për të përdorur emrin “Maqedonia Veriore”, e cila duhet të ratifikohet nga të dy vendet, është pritur keq në të dy anët e kufirit. Në Shkup, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov po kërcënon t’i vërë veton procesit parlamentar, duke e quajtur ndryshimin e emrit “akt kriminal”.
“Ne nuk do ta lejojmë (këtë) marrëveshje, pa miratimin e popullit grek, gjë që bëhet në dy mënyra, ose me zgjedhje ose me referendum,” tha Kamenos të martën.
Partia e Kamenos është në koalicion në qeveri me Syrizën e majtë të Cipras që nga viti 2015. Me zgjedhjet që priten para fundit të vitit 2019, administrata është mjaft dobët në anketat e opinionit, pjesërisht kjo si pasojë e reformave ekonomike.
Fraksion.com