Hekurudhat kërkojnë konsulencë kontabël; BERZH: Procedurat e kontabilitetit janë nën standard
Kompania shtetërore e Hekurudhave Shqiptare kërkon shërbime konsulence për të siguruar që politikat e saj kontabël dhe procedurat të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit. Sipas njoftimit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), konsulenca e kërkuar nga Hekurudha duhet të jetë në përputhje me standardet europiane të kërkuara, si vijim e procesit të rehabilitimit të linjës hekurudhore.
Aktualisht, politikat dhe procedurat e kontabilitetit të Hekurudhave Shqiptare nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, vuri në dukje BERZH.
“Data e mbylljes për dorëzimin e aplikacioneve është 20 korrik dhe vlerësimi i kostos për caktimin është 150,000 euro (173,496 dollarë), pa përfshirë TVSH”- tha EBRD në njoftimet e prokurimit.
“Është parashikuar që financimi për caktimin do të sigurohet nga fondet e bashkëpunimit teknik të menaxhuara nga BERZH”, shtoi banka.
BERZH po shqyrton lëvrimin e një kredie sovrane deri në 36.87 milionë euro për qeverinë shqiptare, për të financuar rehabilitimin e një linje hekurudhore prej 34.17 km midis kryeqytetit Tiranës dhe qytetit port të Durrësit dhe ndërtimin e një linje të re hekurudhore që lidh Tiranën -Durrës, e cila do të jetë në linjë me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.
Qeveria shqiptare ka miratuar në maj marrëveshjen e grantit me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë euro. Granti i akorduar nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, marrëveshje e cila edhe u firmos nga autoritetet është në shumën prej 35,435,000 Euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.
Trafiku që pritet të gjenerohet përmes kësaj linje, pritet të jetë i madh. Sipas raportit teknik të bërë publik një vit më parë, pjesa më e madhe e trafikut do të jetë në linjën Tiranë – Durrës.
Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik. Gjithashtu parashikohet që të rritet edhe shpejtësia e udhëtimit nga 40 km/orë që është sot në 100 km/orë.
Kostoja e këtij projekti llogaritet në rreth 81.5 milionë euro nga të cilat 44%, ose 35.4 milionë euro, do të akordohen nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare. Projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e segmentit ekzistues mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe me ndërtimin e ri të pjesës që do të lidhet me Rinasin. Ky segment ka një gjatësi prej 50 km, ndërsa kostoja llogaritet në rreth 50 milionë euro. Studimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë – Durrës – Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet.
Fraksion.com