AktualitetKosovaTë fundit

Kosovë: Thaçi kërkon krijimin e grupit të unitetit për dialog me Serbinë

Opozita në mënyrë kategorike kundërshton që bisedimet me Serbinë të drejtohen nga presidenti Hashim Thaçi. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë -Serbi është është kusht që të dy vendet të integrohen në BE.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vazhdon të kërkojë mbështetjen e të gjithë spektrit politik kosovar për të krijuar një “grup uniteti”, që do të udhëhiqej nga vet ai për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi. Këtë javë presidenti paralajmëroi intensifikim të përpjekjeve për krijimin e grupit të unitetit, ndonëse opozita vazhdon ta kundërshtojë atë në çdo formë. Dy ditë më parë Presidenti Thaçi, në një mbledhje të pazakonshme, raportoi para kabinetit qeveritar lidhur me rrjedhën e dialogut, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq. Thaçi tha se “procesi i dialogut mbështetet fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat gjatë çdo raundi të bisedimeve e kanë gjithmonë përfaqësuesin e tyre në Bruksel”.

“Kështu ka qenë edhe kësaj here dhe unë kam zhvilluar dy takime pune me përfaqësuesin e SHBA-së përpara mbajtjes së takimit zyrtar. Këto takime të rregullta koordinuese me partnerin tonë kryesor strategjik, SHBA-në, si dhe me shtetet e tjera të fuqishme evropiane, të cilat luajnë një rol mbështetës për këtë proces, janë tepër të rëndësishme”, tha Presidenti Thaçi, duke paralajmëruar se puna e delegacionit të Kosovës “grupit të unitetit”, në kuadër të këtij dialogu do të jetë transparente. Ai i bën thirrje opozitës që të përfshihet në këtë grup uniteti.

“Koha është duke ecur dhe ky proces nuk mund të ndalet për shumë arsye. Konsensusi sa më i gjerë politik dhe shoqëror në këtë fazë të dialogut. Shpresoj se liderët e partive politike ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj institucioneve shtetërore dhe mbi të gjitha, ndaj qytetarëve të vendit. Kosova i ka institucionet e veta shtetërore legjitime dhe demokratike, prandaj askush nuk duhet të pretendojë të vendosë në pikëpyetje legjitimitetin kushtetues dhe ligjor të tyre”.

“Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tryezë të bisedimeve. Ky do të ishte veprimi i duhur, veprimi më racional dhe i guximshëm, të cilin e presin qytetarët e Kosovës. Gjithçka tjetër, të gjitha kritikat e pabaza dhe të pamatura, tregojnë vetëm shenja lodhjeje dhe mungesë të përgjegjësisë e guximit”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës, thotë se Kosova është e përcaktuar dhe e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare detyruese dhe ligjore me Serbinë.

“Ne kemi bërë të qartë, se Kosova i ka shteruar kompromiset e veta të cilat janë të konkretizuara në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari, respektivisht në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Rrjedhimisht, ne kemi thënë se hapësira për kompromise shtesë nga ana e jonë është shumë minimale”, tha Presidenti.

E pikërisht një fjali ku presidenti flet për “kompromise shtesë në raport me Serbinë”, e nxiti partinë më të madhe opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjen, të cilat në mënyrë kategorike e kundërshtojnë krijimin e një grupi uniteti për dialog me Serbinë, aq më shumë që siç thonë “ai grup të udhëhiqet nga Presidenti i vendit”.

“Presidenti i Kosovës, i paautorizuar për të udhëhequr dialogun me Serbinë, sot, ende pa nisur mirë ky dialog, hoqi të gjitha vijat e kuqe në tavolinën e dialogut me kontestuesit e shtetësisë sonë. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës, ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thuhet në reagimin e LDK-së. Kjo parti politike thotë se “është e domosdoshme që Kuvendi i Kosovës, përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend urgjentisht të vendosin vijë të kuqe për Presidentin që, i paautorizuar, ka marrë në dorë fatet e vendit”.

Në të njejtën linjë është shprehur edhe lëvizja Vetëvendosja, e cila nuk ka besim që dialogun me Serbinë ta udhëheqë Presidenti Hashim Thaçi.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, tanimë është e qartë se kush nuk duhet ta udhëheqë dialogun, pasi ne tani kemi një përvojë të keqe me këta persona në aspektin e negociatave me Serbinë. Hashim Thaçi është personi më joadekuat për ta udhëhequr këtë proces”, citojnë mediet lokale deputetin e Vetëvendosjes Xhelal Sveqla.

Sidoqoftë, Kosova dhe Serbia që nga viti 2013 zhvillojnë negociata me ndërmjetësimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Që nga ajo kohë, janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për lehtësimin e jetës së qytetarëve, por, disa nga to nuk janë zbatuar. Çështja më delikate në këto bisedime është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia insiston që ky Asociacion të ketë kompetenca ekzekutive, përderisa Prishtina nuk pajtohet me një gjë të tillë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tash për tash është e domosdoshme, sepse kjo është vënë kusht për Kosovën dhe Serbinë, që të integrohen në BE./ Bekim Shehu/DW

Fraksion.com