Koment: Kroacia pesë vite pas anëtarësimit në BE
Para pesë vitesh Kroacia është bërë vendi i 28 anëtar i Bashkimit Evropian. Rruga deri në anëtarësim ishte e gjatë, por çfarë ka ndodhur në këto pesë vite?
Festimet ishin të përmbajtura edhe në Kroaci, sepse atje mendohej se Kroacia kaherë është dashur të anëtarësohej në BE. Kroatët mendojnë se vendi i tyre kaherë ka qenë pjesë e Evropës dhe nuk është dashur fare të pres para derës kaq gjatë. Ata mendojnë se Kroacia është dashur të anëtarësohet para Bullgarisë dhe Rumanisë. Në anën tjetër ekziston frika e aftësisë konkurruese të ekonomisë kroate në BE dhe se ka pasur mashtrime me nivelin e papunësisë në vend, i cili asokohe ishte rreth 20%. Një prej gjërave më pozitive për të cilat flitej ishte Fondi i BE që i vihej në dispozicion Kroacisë për zhvillimin e vendit.
Braindrain si dhuratë
Sot pesë vite më vonë, në Kroaci nuk ka shumë shkaqe për festim. Gati askush nuk mund të thotë qartë se çfarë të mire i ka sjellur Kroacia BE-së – nëse nuk llogarisim fuqinë e re dhe të kualifikuar punëtore që ka ikur nga Kroacia dhe ka shkuar në vendet tjera të BE. Presidenti i atëhershëm i Komisionit të BE, Manuel Barroso thoshte se Kroacia ka shënuar përparime të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por Transparency International pohon se vendi më i ri në BE zë vendin e 58 në listën etyre, nga 180 vende.
As nga perspektiva kroate anëtarësimi nuk mund të shihet si historia më e madhe e suksesit. BE prej vitesh po shkon nga një krizë në tjetrën. Qëllimi i BE-së ishte asokohe që të stabilizojë Ballkanin dhe Evropën, por Ballkani është sot më jo stabil se rrallë herë më parë. Kroacia nuk mund të konsiderohet sot si një prijëse e tolerancës dhe funksionimit të shtetit juridik. As ekonomikisht ky vend nuk ka mundur të përfitojë shumë. Këtë dëshmon edhe fakti se çdo ditë nga Kroacia mesatarisht largohen 180 vetë dhe shkojnë në Gjermani, Austri apo Irlandë. Ata janë kryesisht të rinj të përgatitur mirë.
Frika si argument
Në bilancin pesëvjeçar mbetet tani edhe faktori gjeostrategjik. Evropa Juglindore shihet si rajon jo stabil dhe i rrezikshëm, që nga koha e shtatërrimit të ish-Jugosllavisë. Atje eziston rreziku permanent i influencës nga Turqia, Rusia, Kina dhe vende të tjera, të cilat duan të shtrijnë influencën dhe interesat e veta atje. Kryeministri i atëhershëm kroat Zoran Milanoviq ka premtuar para pesë vitesh se vendi i tij do të shndërrohet në urë për vendet e Evropës Juglindore. Diçka e ngjashme me një bosht paqeje. Por Kroacia edhe sot ka probleme territoriale me Slloveninë. Bosnje-Hercegovina provokohet nga Kroacia me ndërtimin e një ure të madhe tek Neumi për të anashkaluar territorin e këtij vendi, ndërsa me Serbinë ka më shumë grindje sesa marrëdhënie bashkëpunimi.
Megjithatë anëtarësimi i Kroacisë në BE nuk e ka dëmtuar rajonin dhe BE-në. Vendet tjera të Ballkanit mund të kenë Kroacinë si shembull dhe të intensifikojnë reformat, të marrin prej saj disa ligje që tingëllojnë mirë. Fakt është që për Kroacinë nuk është dëgjuar shumë vitet e fundit në BE, për shkak se atje po zhvillohet një grindje mes të mëdhenjve. Megjithatë në Kroaci nuk ka shumë shkaqe për festim./DW
Fraksion.com