Çfarë do të thotë “kompromis” në dialogun Serbi-Kosovë?
Autoritetet e Serbisë kërkojnë që në dialogun me Kosovën të arrihet një “kompromis”, por deri më sot nuk e kanë shpjeguar se çfarë do të thotë kjo.Njëkohësisht me fjalën “kompromis”, politikanët serbë thonë se Serbia “nuk duhet t’i humbë të gjitha”, e pala kosovare “t’i fitojë të gjitha”. Por në Serbi kurrë nuk është saktësuar se çfarë do të thotë fjala “kompromis” dhe cili është koncepti i tyre për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Përgjigje në këtë çështje nuk ka ofruar as i ashtuquajturi “dialog i brendshëm” në Serbi, ku janë paraqitur disa konkludime të paqarta. Mendimi i vetëm që është dëgjuar gjatë kësaj periudhe është se duhet vazhduar një lloj konflikti të ngrirë në Kosovë. Mbështetësit e kësaj ideje mendojnë se Serbia nuk ka nevojë të ngutet me dialog dhe duhet të presë përmirësimin e pozitës së saj gjeopolitike, për të gjetur një zgjidhje përfundimtare.
Kompromis – ndarja e Kosovës?
Çedomir Antiq, kryetar i Klubit Përparimtar, thotë se pala serbe e sheh si “kompromis” vetëm ndarjen e Kosovës. Kur autoritetet serbe flasin për komprimis, ato mendojnë tek ndajra, por asnjë prej tyre nuk e thotë hapur. “Ata nuk janë të gatshëm të dalin në opinion me këtë ide, sepse me vite të tëra kanë bërë fushatë kundër ndarjes. Nëse dikush hapur kërkon ndarjen, atëherë kjo do të thotë se pala serbe është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës, pra pjesës tjetër të Kosovës. Sinjalet po shkojnë në këtë drejtim, por është shumë vështirë të ndahet një territor ku pala serbe nuk ka kontroll”.
Ndërsa Bojan Al Pinto Brkiq nga Forumi për Raporte Ndërkombëtare mendon ndryshe: “Mendoj se ndarja nuk është në rend dite dhe se Serbia nuk është në gjendje ta imponojë këtë temë në procesin e negociatave. Serbia e ka nënshkruar në vitin 1999 Marrëveshjen e Kumanovës, në bazë të së cilës është miratuar edhe Rezoluta 1244 e OKB, ku qartë thuhet se nuk mund të ketë ndarje dhe se çështja e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën nuk do të trajtohet sërish”, thotë Brkiq.
Politika e hapave të vegjël – humbje e sovranitetit
Prej Marrëveshjes së Kumanovës, Serbia është duke bërë një “politikë të hapave të vegjël” në Kosovë, thotë Brkiq. Kjo politikë nënkupton pranimin gradual të sovrantietit të Kosovës, që ka rezultuar me zhdukjen gati në tërësi të institucioneve serbe në Kosovë. Ne po presim të dëgjojmë se çfarë do të thotë “zgjidhje kompromisi”, të cilën pretendon pala serbe. “Linjat e kuqe të Serbisë për Kosovën janë zhvendosur tërë kohën. Fjala “kompromis” është shumë atraktive, sepse nënkupton se të dy palët duhet të heqin dorë nga linjat e kuqe dhe duhet të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Ndaj besoj se në muajt e ardhshëm do të ketë një zgjidhje të ngjashme si Marrëveshja e Brukselit dhe se kjo zgjidhje do të praraqitet si “kompromis” i madh që është arritur falë negociatave të gjata dhe të vështira mes palëve”, thotë Brkiq.
Pa forcat e mëdha (nuk) ka marrëveshje
Mediat serbe shkruajnë se pala shqiptare është e gatshme për “kompromise me synim arritjen e zgjidhjes përfundimtare”. Por as pala shqiptare nuk ka dhënë ndonjë shpjegim se çfarë do të thotë “kompromis. Antiq mendon se shqiptarët e Kosovës e dinë se do të kenë probleme të mëdha në të ardhmen, ndaj nuk duan armiqësi të përjetshme me Serbinë. “Duket se ata janë të gatshëm për disa lëshime, ndoshta edhe për shkëmbimin e territoreve. Për këtë çështje sipas të gjitha gjasave është biseduar në prill të këtij viti. Por ndërkohë ka ndryshuar politika botërore dhe shkëmbimi i territoreve do të thoshte se Vuçiqi duhet të ashpërsojë raportet me disa fuqi të mëdha”, mendon Antiq.
Brkiq thotë se Serbia flet për “kompromis” në negociatat për Kosovën, por fakt është që ajo i ka humbur të gjitha. “Serbia po e shfrytëzon pozitën e saj për të arritur ndonjë lëshim nga Bashkimi Evropian apo Amerika, e kjo paraqitet si kompromis për Kosovën. Pritjet që Serbia të përfitojë diçka në negociatat për Kosovën janë jo serioze”.
Negociata për diçka që është vendosur kaherë
Prej kujt pret Serbia ndonjë “kompromis”: Kosovës, SHBA, apo BE? Nga pala kosovare me siguri që nuk mund të presë ndonjë kompromis, ndonëse pala kosovare është hallka më e dobët në të gjithë procesin e negociatave – sepse ndaj tyre është mëse lehtë të bëhet presion, mendon Brkiq.
„Prishtina zyrtare nuk është në pozitë që të bëjë ndonjë lëshim ndaj Serbisë. Çështja për të cilën bisedohet në Bruksel është vendosur kaherë, ndërsa tani po flitet për çështjet teknike, më saktësisht për kërkesën që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Serbia në fakt është duke negociuar me BE-në dhe Amerikën, me klubin joformal që quhet Kuinti, pra me pesë vendet anëtare të tij”, thotë Brkiq./ Ivica Petrovic/DW
Fraksion.com