Belgjika bën përmbysjen e madhe ndaj Japonisë, në çerekfinale me Brazilin
Botërori i kësaj vere iu afrua një tjetër surprize të bujshme, pasi Belgjika pretendente preku eliminimin nga Japonia, për të siguruar më pas gjithçka në sekondat finale. Skuadra e trajnerit Martinez mori një sukses dramatik në minutën e 4 shtesë 3-2, dhe tani do të ketë Brazilin si kundërshtarin e ardhshëm.
Asnjë humbje nuk kishte pësuar Belgjika në 22 ndeshjet e fundit dhe aq më pak e priste këtë në Rostov Arena. Lukaku dhe Mertens kishin shansin për të prishur ekuilibrat por aziatikët mbrojtën pa bërë thuajse asnjë gabim në pjesën e parë. Në startin e fraksionit të dytë tifozët në stadium u shokuan nga dy gola në harkun e 4 minutave lojë nga skuadra që më pak e prisnin.
Një pasim që ndau mbrojtjen Belge përfundoi te Haraguçi dhe japonezi shkarkoi në rrjetë goditjen që nuk evitua nga Kurtua. Përgjigja ishte emergjente por përpjekja e bukur e Eden Hazard u ndal nga shtylla. Kur të gjithë mendonin se barazimi nuk do vononte, Takeshi Inui shënoi golin e dytë për aziatikët, pasi u la i lirë më shumë sesa kishte shpresuar.
Djajtë e Kuq shfaqën shenja nervozizmi ndërsa koha kalonte e bashkë me të afrohej eliminimi. Por atë që nuk ditën ta bëjnë sulmuesit, e bëri një mbrojtës për Belgjikën.
Presioni në zonën e Japonisë në një aksion kaotik, çoi topin te Vertongen që me kokë nisi një gjysmë krosim që përfundoi në rrjetë. Belgët shënuan më pas golin e barazimit që erdhi nga pankina.
Fellaini i sapofutur në lojë, kërceu mbi të gjithë prapavijën japoneze duke rikthyer baraspeshën e bashkë me të, edhe dilemën e kualifikimit. Kur të gjithë prisnin kohën shtesë pas rasteve radhazi të humbura nga Belgjika, Shadli’ shënoi në portën e Kauashima nga një distancë e afërt, duke firmosur epilogun më të hidhur për Japoninë në këtë botëror.
Fraksion.com