Vrasja e shoferit të ministrit Xhafaj, PD: Krim tipik mafioz; Xhafaj të japë dorëheqjen
Partia Demokratike deklaroi se “sot Garda e Republikës, Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme fshehën ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda Gardes së Republikës”.
“Për dijeni të publikut, vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës iu bë e njohur medias dhe publikut nga Partia Demokratike menjëherë sapo ne morëm informacionin.
Që prej fillimit, pati përpjekje për të manipuluar këtë ngjarje, nga më të rëndat që implikon drejtpërsëdrejti Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Policia private e Fatmir Xhafës po bën çdo përpjekje që ajo të duket si një vetëvrasje me 3 plumba.
Por ne jemi të bindur se ngjarja është një vrasje mafioze, ndoshta edhe më e rrezikshme sesa vrasja e shoferit të familjes së Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku në mes te bulevardit në vitin 2003”, lexohet në deklaratën e PD-së.
“Në njoftimin e vet, Policia e Fatmir Xhafës nuk jepte shpjegime sesi ka mundësi që brenda Gardës së Republikës askush nuk ka dëgjuar 3 të shtëna armë me breshëri automatiku, siç thuhet në njoftim!
Kjo dhe rrethana të tjera që po i verifikojmë, tregon se vrasja e shoferit të Fatmir Xhafës është e tipit mafioz, e kryer me silenciator.
Me një Polici që e kontrollon vetë, me një Prokurori plotësisht nën urdhrat e tij, Fatmir Xhafaj duhet të japë menjëherë dorëheqjen! Të mos fshihet pas lotëve të krokodilit, por të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë një hetimi të pavarur”, thotë deklarata.
Fraksion.com