AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: 100 Fshatrat si model i integruar ekonomik dhe social i zhvillimit rural

Programi “100 fshatrat” do të sjellë një zbulim shumë domethënës të vlerave të Voskopojës, ku shenjat e një zhvillimi të ri janë të dukshme.

Në kuadër të programit “100 fshatrat”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Voskopojë, një nga pikat ku do të zhvillohet ky program, që është model i zhvillimit të integruar rural.

“Në kuadër të programit kombëtar të Rilindjes Rurale kemi hapur një proces ku duam të përfshijmë një tërësi faktorësh. Zhvilluam një takim të parë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të tjera në Shqipëri për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij programi dhe për të orientuar fokusin e financimeve të strukturave të ndryshme të bashkëpunimit drejt këtij programi”, – tha Kryeministri.

Në këtë takim, informoi Kryeministri, janë të ftuar disa prej protagonistëve lokalë, por edhe më gjerë, që kanë shprehur konkretisht interes për të hedhur sytë nga zhvillimi rural, duke investuar në agroturizëm.

“Jemi në një fshat që megjithë fatkeqësitë dhe 3 djegiet e tij është në një fazë ku shenjat e një zhvillimi të ri janë të dukshme dhe ku nxitja e mëtejshme me instrumentat e programit ‘100 fshatrat’ do të sjellë një zbulim shumë domethënës të vlerave të Voskopojës”, – tha Rama.

Sipas tij “projekti ‘100 fshatrat’ ka një domethënie të rëndësishme, sepse çon përpara një valë zhvillimi që ka nisur fillimisht me qendrat e qyteteve me Rilindjen Urbane, aty ku shpesh jetohet me fatalitetin, se nuk ka rrugë dhe mundësi për të ndërtuar mirëqenie reale përmes punës”.

Fshatrat e përzgjedhura në këtë program, theksoi Rama, kanë trashëgimi kulturore, bukuri përrallore të natyrës dhe elementë të spikatur të traditës, si nga pikëpamja ndërtimore, edhe historisë dhe mikpritjes.

 

 

Fraksion.com