AktualitetEkonomiTë fundit

Pse nuk duhet të trembemi nga rënia e euros

Personalisht e konsideroj atë që ndodhi këto 3 vjet (dhe e kam fjalën për ngjarjen që solli sasitë e mëdha të eurove në Shqipëri) si një karamele me helm. Ne helmin e morëm që e morëm, të paktën të shijojmë karamelen. Lëreni kursin e lirë!

 

Nga Panajot Soko

 

Unë kam qenë ndoshta ndër të paktët e këtij zanati që nuk më ka kapluar ankthi dhe paniku nga rënia drastike që euro pësoi dhe vazhdon të pësojë.
Nuk më kapi ankthi, pasi për mua personalisht ishte një gjë që pritej. Kur ambasadori Bothchard foli atëherë për rreth 2 miliardë euro që tregtia e narkotikëve kishte prodhuar (rreth 15-18% e Prodhimit të brendshëm bruto), nuk mendova në asnjë moment që ato do të ishin para që do të investoheshin në London Stock Exchange.

Natyrisht që ato do të hynin në Shqipëri për t’u pastruar, sepse ndër të tjera, që të jemi të sinqertë, Shqipëria e ka fituar tashmë garën e vendit më të mirë në pellgun e Mesdheut ku mund të pastrohen para. Madje, që të vazhdojmë me sinqeritetin, eksporti i shërbimit të pastrimit të parave ka qenë dhe vazhdon të jetë kolonë e rëndësishme në mbajtjen në një ekuilibër dinamik të bilancit të pagesave. Dhe kjo është vërtetuar prej shumë vitesh. Nisur nga ky arsyetim, nuk u gjenda asnjë ditë i befasuar nga tendenca rënëse e euros, por e pranova dhe u përgatita për këtë realitet të ri.

 

Pse nuk e shoh negativ dobësimin e euros

Nuk më kapi as paniku, sepse kam një opinion tjetër nga gjithë shpura e teknokratëve që u takon të merren me politikën tonë monetare.
Dobësimin e euros nuk e shoh si një gjë të keqe ndaj së cilës ne duhet të aktivizojmë sistemet difensive. Pra, e marrë veçmas nga gjithë ajo që e solli këtë rënie të euros, nëse do të abstragonim një moment nga prospekti civil, ligjor, social dhe pjesërisht ekonomik, ajo çfarë po ndodh në sferën monetare do të ishte një ngjarje analoge me një super-rritje të eksporteve në një vit të caktuar.

Pra, imagjinojmë sikur, në një vit të caktuar do të kishim një super-rritje të eksportit të domates, e cila do të rriste të ardhurat, por edhe që do të kishte ndikim në bilancin e pagesave, stokun e monedhës dhe natyrisht, edhe kursin e këmbimit. A nuk është ky qëllimi i stimulimit të eksporteve? A nuk është kjo ajo që luftojmë të arrijmë kur stimulojmë nga ana fiskale eksportet, që të krijojmë më shumë të ardhura, përtej atyre që gjeneron konsumi i brendshëm duke përmirësuar bilancin e pagesave dhe duke forcuar monedhën vendase? E pra kjo ka ndodhur, përse po frikësohemi deri në reagim ekstrem…

 

Shqetësim do të ishte po të zhvlerësohej leku jo euro

Natyrisht, e theksoj që te kjo analogji kam abstraguar totalisht nga prospekti civil, ligjor dhe social dhe nuk është pikëpamja ime që kanabizimi apo narkotizimi i vendit është një gjë e mirë, as nga pikëpamja ekonomike madje, sepse ajo do të ketë efekte të tjera që, për shkak të natyrës së zezë të parasë që gjeneron, dëmtojnë ekonominë (si puna e flluskave financiare në sektorë të ndryshëm), por që zhvlerësimi i monedhës euro nuk është një nga ato efekte. Madje, e shoh zhvlerësimin e euros si një ngjarje pozitive dhe çuditem kur shoh një angazhim kaq të madh në frenimin e saj.

Jam dakord që, nëse do të ishte leku monedha që do të zhvlerësohej me këto ritme, duhet të kishte patjetër shqetësim dhe angazhim, por për euron..??? S’më bën sens. Kam dëgjuar me vëmendje të gjithë mendjet e angazhuara në këtë ngjarje dhe askund nuk gjeta një argument të qenësishëm se ku dëmton shëndetin e ekonomisë së vendit rënia e euros. Përveçse industrisë së ripërpunimit të veshjeve dhe agro-eksporteve, të cilat vërtet kanë humbje në kontratat ekzistuese, nuk ka asnjë sektor tjetër, apo tregues tjetër që po dëmtohet.

Shumë u fol se rënia e euros do të kishte ndikim te niveli i eksporteve si tregues makro. Por kam një ide tjetër. Indeksi i eksporteve shqiptare (si tregues makro) është e vështirë të preket nga luhatja që po ndodh aktualisht në kursin e euros për disa arsye. E para, sepse eksportet shqiptare janë të ndara Dollarit dhe Euros, ku peshën kryesore e mbajnë nafta dhe kromi, të cilat tregtohen me dollarë, sipas indeksit të tregjeve respektive.

Por edhe tek eksportet në euro, ndikimi është parcial. Turizmi shqiptar, për shembull, që përftohet kryesisht nga turistë europianë që përdorin euro, është kaq i lirë në çmim, saqë një shtrenjtim në këto nivele i lekut vendas, as nuk pritet të dekurajojë fare turistët e huaj që kanë vendosur të vizitojnë Shqipërinë, as edhe agjencitë që operojnë me to.

Apo të ardhurat e munguara nga zhvlerësimi i euros tek agro-eksportet shqiptare, për shkak të sezonit, do të kompensohen nga rritja e vëllimit, sepse tani është stina e prodhimit të shtuar agrar dhe agropërpunues. Nisur nga këto të dhëna, personalisht nuk prisja ndikim tek indeksi i eksporteve në nivel makro dhe koha më dha të drejtë. Ndryshe nga ç’u trumbetua, eksportet shënuan rritje dhe dobësimi i euros nuk ndikoi indeksin makro.

 

Ndërhyrja e BSH

E megjithatë, duket se Banka Qendrore kishte një opinion ndryshe. Me arsyetimin se duhet të ruante shmangiet që kursi i këmbimit do të shkaktonte në trajektoren e Bankës, për arritjen e objektivit të inflacionit, Banka vendosi të ndërhynte në treg. Lexova gjithë reagimet në shtypin e shkruar, TV dhe rrjete sociale dhe konstatova se unë kisha qenë ndër të paktët që e kam konsideruar si të pakuptimtë atë që Banka po bënte.
Nga pikëpamja monetare, e kam të vështirë të kuptoj logjikën sesi zhvlerësimi i një monedhe të huaj mund të ndikojë në vënien në rrezik të arritjes së objektivit të nivelit të inflacionit. Personalisht besoj se, e kundërta, është e vërtetë, pasi një ulje e çmimeve të mallrave të importit në euro (që përbëjnë bazën e konsumit si familjar dhe të biznesit) do të stimulonte konsumin në sasi dhe do të ndihmonte Bankën në rrugën drejt objektivit.

 

 

Korrektimi i kursit

Por edhe nëse do të presupozonim një moment se ka nevojë për një korrektim të kursit, nuk është politika monetare ajo që do të ishte përcaktuese në këtë lojë. Ne kemi një problem me konsumin dhe kreditimin në ekonomi. Dhe kjo vjen për shkak të terrenit armiqësor fiskal. Ne kemi normën më të ulët të interesit bazë të lekut qëkur u fillua të bëhej politikë monetare në këtë vend dhe prapë kreditimi në ekonomi është totalisht i atrofizuar.

E nëse do të kishte një antidot ndaj reaksionit të krijuar, ai do të ishte një stimul i kreditimit në ekonomi, pasi dhe për shkak të koniunkturës së monedhës, sasitë e Lekut të hedhura në treg do të neutralizonin deri diku (por shumë më shumë sesa ndërhyrja e Bankës) luhatjet e kursit të këmbimit. Por kjo nuk ndodh, sepse politika fiskale dhe qasja e institucioneve përgjegjëse kanë krijuar një ambient armiqësor për investimet dhe biznesin, duke atrofizuar kredinë.

Gjithsesi, për t’u kthyer te logjika, përse unë jam kundër tentativës për të korrektuar kursin, po i kthehem ndikimit që zhvlerësimi i euros ka në jetën ekonomike dhe sociale të vendit. Një zhvlerësim i euros ndikon në përmirësim të treguesve të borxhit publik, duke i bërë ripagesat e borxhit në euro më të lira.

Por edhe në aspektin social, familjet që kanë të ardhurat në lekë (që përbëjnë shumicën absolute të popullsisë) përfitojnë nga ulja e çmimit të mallrave të importit, e cila ka filluar të aplikohet disi, kryesisht nga njësitë e mëdha të tregtisë me pakicë. Familjet që kanë të ardhura në lekë dhe kanë marrë një kredi në euro përfitojnë nga këstet e ulëta të shlyerjes. Ata që kanë pasur dëshirë të udhëtojnë si turistë në vendet e Europës, tashmë kanë momentin më të mirë për ta bërë, etj.

Dhe këto përbëjnë shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare, të cilave, në një sintezë leksike, iu rritet mirëqenia nga një zhvlerësim i euros.
Natyrisht, nga kjo që po ndodh ka dhe të humbur, kryesisht familjet të cilat jetojnë me remitanca, por ky është rrezik që një ekonomi e tregut të lirë gjithmonë e mbart. Ashtu siç në 2011 fituan, kur kursi arriti nivelet 1 Euro – 144 Lek, ashtu tani bien pre e luhatjes së kursit.
Edhe nga pikëpamja psikologjike, shqiptarët janë të prirë ta shohin pozitivisht zhvlerësimin e euros, pasi pas një periudhe shtrenjtimi dhe shtrëngimi fiskal me rritje taksash dhe tarifash, rënia e euros iu vjen si një ditë me diell, pas një jave me shi.

Nisur nga të gjitha këto, nuk arrita t’i jepja dot një kuptim ndërhyrjes që Banka vendosi të bënte para dy javësh. Jo sepse besoja se ndërhyrja e Bankës do të arrinte diçka, por nuk kuptova përse Banka duhet të sforcohet për një ngjarje që s’prodhon dëm.
Personalisht e konsideroj atë që ndodhi këto 3 vjet (dhe e kam fjalën për ngjarjen që solli sasitë e mëdha të eurove në Shqipëri) si një karamele me helm. Ne helmin e morëm që e morëm, të paktën të shijojmë karamelen. Lëreni kursin e lirë!/Monitor

 

Fraksion.com