AktualitetBota+Të fundit

Kandidatët myslimanë në proceset zgjedhore amerikane

Rreth 100 myslimanë amerikanë po kandidojnë për poste publike këtë vit, shumë prej tyre demokratë që shpresojnë të bëhen pjesë e “valës blu” gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në muajin nëntor. Gazetari i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, ka shoqëruar një ish-ligjvënëse të shtetit Miçigan, e cila e dëshiron aq shumë zgjedhjen në Kongres, saqë bëri fushatë elektorale gjatë gjithë muajit të Ramazanit. Ajo fokusohet më pak tek gjinia e saj dhe besimi i saj fetar, sesa tek trajtimi i nevojave të komunitetit që ajo synon të përfaqësojë.

Gjatë orëve më të ngrohta të ditës… Përgjatë trotuareve aq të nxehta sa mbi to mund të skuqësh vezë… Rashida Tlaib shkon derë më derë në këtë lagje të qytetit Detroit, në kërkim të votave.

Ajo po e bën gjithë këtë punë pa ngrënë ushqim dhe pa pirë ujë gjithë ditën.

Arsyeja është se zonja Tlaib është myslimane, çka do të thotë se ajo agjëron gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

“E di se në mediat sociale besimi im fetar përmended më shumë, por tek dyert e shtëpive nuk ma vënë në dukje”, thotë zonja Tlaib, e cila po kandidon për t’u zgjedhur në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në zonën zgjedhore 13-të, në shtetin Miçigan.

Zonja Tlaib nuk është fillestare në politikë, pasi ajo ka shërbyer më parë në legjislaturën e shtetit të Miçiganit. Ajo është bijë emigrantësh palestinezë, por në këto rrugë të qytetit Detroit, në një lagje me shumicë afrikano-amerikane, ajo është vendase, ka lindur këtu, dhe ka ndjekur shkollat e zonës.

“Njerëzit më shumë i prek lidhja e drejtpërdrejtë me lagjen”, thotë zonja Tlaib.

Ajo pranon se pak nga njerëzit që ajo takon mund ta dinë se ajo është pranë shkrimit të historisë… sërish.

“U them se isha gruaja e parë myslimane që u zgjodha në legjislaturën e shtetit Miçigan, dhe se nëse zgjidhem në Kongresin amerikan, do të jem e para e tillë në historinë e tij”, thotë zonja Tlaib.

“A e ka të sigurtë fitoren? Jo. A ka ndonjë shans? Po. Ajo është një kandidate e jashtëzakonshme”, thotë Osama Siblani, botues i “Arab American News”.

Gazeta e përjavshme “Arab American News” ka kryesisht audiencë popullsinë e madhe arabo-amerikane të Miçiganit juglindor.

Zoti Siblani thotë se kandidatura e zonjës Tlaib dhe e dy kandidatëve të tjerë myslimano-amerikanë që po konkurrojnë në procese të tjera zgjedhore, dëshmon për një rizgjim të ri politik në komunitet.

“Dikur fshiheshim. Ndryshonim emrat tanë. Megjithë 11 shtatorin dhe epokën Trump, ne lëvizim përpara; kandidojmë në zgjedhje, fitojmë, dhe kemi ndikim domethënës tek shoqëria jonë”, thotë zoti Siblani.

“Në rrafshin kombëtar, kjo është një fushatë historike. Njerëzit që më mbështesin, si p.sh. një myslimane në Tampa që më tha ‘të lutem fito, pasi po fitove ti, ne atëherë do t’i përkasim këtij vendi’. I thashë se ne jemi që tani fitimtarë, pasi ky këtu është absolutisht vendi yt. Ka domethënie shumë më të madhe”, tregon zonja Tlaib.

Që të fitojë, asaj do t’i duhet mbështetje përtej komunitetit arabo-amerikan të Miçiganit… shumica e të cilëve nuk jetojnë në zonën elektorale që ajo kërkon të përfaqësojë dhe nuk votojnë dot për të.

Zonja Tlaib përballet me disa sfidantë që synojnë të zënë vendin e Ligjvënësit John Conyers Junior, i cili dha dorëheqjen në dhjetor pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale. Kandidati që do të përzgjidhet nga demokratët gjatë zgjedhjeve paraprake, ka shanse të mëdha drejt Kongresit amerikan, pasi për momentin nuk ka asnjë kandidat të shpallur nga republikanët.

 

Fraksion.com