AktualitetTë fundit

Familjarët e shoferit të Xhafajt: Nuk kishte shfaqur shqetësime

Shoferi i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, është gjetur i pajetë mëngjesin e së shtunës brenda ambienteve të Gardës së Republikës. I ndjeri është Shkëlzen Qordja, 31 vjeç, që prej disa vitesh punonte pranë Gardës së Republikës dhe së fundmi ishte në timonin e makinës së ministrit Fatmir Xhafaj.

Të dhënat e para të grupit hetimor, i cili ka mbërritur në vendngjarje, flasin për një vetëvrasje. I ndjeri është gjetur brenda një automjeti tip Hyndai, në vendin e parë në timon, ku u gjet edhe arma e shërbimit me të cilën dyshohet se është vetëvrarë.

Ekspertët kanë përcaktuar se viktima ka një plagë të shkaktuar me armë zjarri nga një distancë e afërt në kokë. Pavarësisht dyshimeve të para për një vetëvrasje, grupi hetimor ka nisur marrjen e gjurmëve të gishtave në armën që është gjetur, tip pistoletë, si dhe në mjetin ku është gjetur viktima.

Gjithashtu ka nisur verifikimi i kamerave të sigurisë të ambienteve të jashtmë të Gardës, për të parë veprimet e 31-vjeçarit para se të futej në makinën ku ndërroi jetë. Serverat e kamerave janë bllokuar, po ashtu edhe regjistrat e urdhërave të shërbimit. Ndërsa janë marrë në pyetje të gjithë gardistët që ishin në vendin e ngjarjes, por edhe të afërmit.

31-vjeçari jetonte në Tiranë dhe gjashtë vitet e fundit detyra kryesore ishte shoqërimi si shofer i Fatmir Xhafës edhe në kohën kur nuk ka qenë ministër i Brendshëm pranë të cilit ka punuar për mbi 8 vite.

Ndërkohë të dhënat e para nga familjarët e të ndjerit të kontaktuar nga Top Channel, nuk tregojnë për ndonjë shqetësim të shfaqur te 31-vjeçarit, duke deklaruar se ngjarja u ka ardhur shumë e papritur. Ndërkohë edhe nga Garda apo Ministria e Brendshme nuk ka patur masa administrative apo disiplinore ndaj shoferit të ministrit të Brendshëm. Këto fakte errësojnë më tepër motivet e kësaj ngjarjeje në dukje si vetëvrasje.

 

Fraksion.com