AktualitetEkonomiTë fundit

Dilemat e furnizimit në tregun e lirë të energjisë

Dilema që shtrohet sot është – a mund ta përzgjedhim shitësin e energjisë elektrike dhe kush e përcakton çmimin për t’u paguar? Duhet ta liberalizojmë shitjen e energjisë elektrike dhe cilat janë përfitimet kësaj? Këto dhe të ngjashme janë disa çështje që do trajtohen në këtë artikull, për të kuptuar më mirë përfitimet që ofrohen nga hapja tregut me pakicë të energjisë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) më datë 27 prill 2018, ka shtruar kërkesën për transferimin dhe licencimin e shoqërive të kontrolluara nga ana e saj në Entin Rregullator të Energjisë (ERE). Ndër to, është edhe dokumentacioni për licencim në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike të shoqërisë “Furnizuesi i Tregut të Lirë” sh.a. (FTL sh.a). Shoqëri e themeluar nga OSHEE-ja në cilësinë e aksionerit mëmë më 28 mars 2018.

Në vijim të sa më sipër, bordi i ERE-s, vendosi të fillojë procedurën për shqyrtimin e aplikimit për licencim e shoqërisë FTL sh.a, në veprimtarinë e tregtimit të energjisë elektrike. Në këtë mënyrë plotësohet më tej një hap tjetër shumë i rëndësishëm për hapjen e tregut me pakice dhe mundësinë e kalimit ndërmjet furnizuesve të ndryshëm të energjisë elektrike (shitësve). Një hap që synon bërjen e këtij procesi po aq lehtë sa kur ndërrojmë kompaninë e telefonisë apo internetit.

Por sigurimi i energjisë elektrike përbën një produkt të veçantë dhe sfide më vete për konsumatorin fundor. Kështu pikëpyetje janë legjitime nëse të gjithë konsumatorët do jenë në gjendje ta bëjnë këtë, apo nëse në fund të fundit të gjitha përpjekjet do t’ia vlejnë nga ana ekonomike apo e përmirësimit të shërbimit?

Zakonisht për ne është rutinë blerja e shumicës së mallrave të konsumit në mënyrë direkte. Kështu, nëse kemi nevojë për një televizor të ri, nuk presim që të na e sjellin në shtëpi dhe të na tregojnë sa duhet të paguajmë për të. Ne thjesht shkojmë në dyqane, kërkojmë midis opsioneve dhe ofertave më të mira, dhe madje nëse nuk gjejmë atë që duam, atëherë shikojmë në internet për oferta të tjera.

Pra, ne jemi mësuar të jemi aktiv në treg. Mirëpo, në disa raste, p.sh., kur kërkojmë një shtëpi, mund të përdorim edhe ndihmën e një agjenti të pasurive të patundshme. Dhe, nëse më në fund na ofrojnë shtëpinë që po kërkojmë, jemi të gatshëm të paguajmë për shërbimin e marrë.
Pra, kjo është diçka për të cilën jemi mësuar, përveçse me energjinë elektrike. A do të thotë kjo se tregtimi me pakicë i energjisë elektrike nuk ka ekzistuar deri tani? Jo, tërësisht pasi një mundësi e tillë ka ekzistuar që nga viti 2012 edhe se për një numër të kufizuar konsumatorësh të mëdhenj. Madje, diçka e tillë nga data 1 mars 2018 ishte e detyrueshme edhe për subjektet që furnizohen nga tensioni 35 kV edhe së ky proces tashmë u shty për 2 vjet.

Megjithatë, për shumicën e klientëve, kompania e shpërndarjes dhe enti rregullator, e ka marrë përsipër kryerjen e kësaj detyre pa pyetur nëse mendojmë se mund të jetë më mirë ose më keq. Kompania e shpërndarjes është ngarkuar me blerjen e energjisë elektrike që na nevojitej dhe më pas, na e faturon atë, me çmimin që enti rregullator vendos se sa duhet paguar për shërbimin.
Kështu pyetja është a do të kishte kuptim ta hapim këtë shërbim në treg? A do të ishin nismat private të afta për ta bërë atë në një mënyrë më të mirë se sa ka qenë deri më tani?

Mbi këtë, së pari le të shohim nga këndvështrimi i kuadrit të derikëtushëm. A mendojmë vërtet se heqja e vendimmarrjes nga duart e rregullatorit të këtij vendimi mund ta bëjë shërbimin më efikas? Mund të jetë rasti, pasi kompanitë e mësipërme të lidhura në 35 kV, po të ishin furnizuar në treg të lirë në 5-mujorin e parë të 2018-s do ta kishin blerë atë më lirë.

Madje edhe më gjerë, sa më sipër do na bënte më të përgjegjshëm për çmimet e energjisë dhe rritjen e efikasitetit në përdorimin e tij. Ndoshta, nëse do të kishte më shumë transparencë në kriteret që formojnë çmimet, mund të kishim një reflektim edhe te konsumi, duke qenë më efikas dhe duke mos shpenzuar më shumë se sa i përgjigjet kostove të energjisë për shembull gjatë proceseve prodhuese.
Për më tej, gjithashtu, hapja e derës së liberalizimit mund të sjellë tarifa të reja të përshtatura që mund të shtonin edhe profilet e klientëve të ndryshëm. Të gjithë jemi të ndryshëm (lidhur me konsumin e energjisë), prandaj nuk është logjike të kemi të njëjtin tarifë unike të energjisë elektrike për të gjithë.

Pra, këto janë disa aspekte lidhur me trajtimin e çështjes nga pikëpamja e derikëtushme të energjisë. Tani pyetja është, a mund të kemi edhe më shumë? A mund të sjellë liberalizimi i shitjes me pakicë tipare të reja, që mund ta bëjnë jetën tonë më të mirë duke rritur efikasitetin e përdorimit të furnizimit me energji elektrike?

Në këtë drejtim ka shumë ide premtuese. Një prej tyre është menaxhimi i rrezikut. Deri tani, siç dihet, tarifat e energjisë elektrike kanë qenë fikse. Pra profili i rrezikut është trajtuar si unik. Sigurisht që do ketë konsumatorë që janë të lumtur për t’u ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve në afatshkurtër, siç të tjerë duan të kenë çmim të qëndrueshëm për periudha më të gjata. Pra, në një treg të hapur, shitësit e ndryshëm mund të sjellin produkte të ndryshme, që mund t’i shtojnë këtij shërbimi profilet e rrezikut.

Por, mbi të gjitha, kontributi më i madh është që bashkë me liberalizimin e shitjes me pakicë vijnë dhe risitë. Disa zhvillime po vijnë që tani, si net-metering, etj. Por sot jemi në kohën e internetit, matësve smart, etj., që mund të ndryshojnë vërtet modelet tona të konsumit. Kështu, thelbi është, nëse duam të shkojmë drejt hapjes për t’i lënë rrugë të lirë të gjitha këtyre zhvillimeve teknologjike të vijnë në mënyrë efikase, apo ta kufizojmë veten te rregullatori aktual që të vazhdojë të bëjë atë ka bërë deri tani. Ky është diskutimi që të gjithë duhet të ndjekim!/Monitor

 

Fraksion.com