AktualitetBota+Të fundit

Banka e harruar qendrore e Gjermanisë Lindore

Këtë javë është përvjetori i 28-të i bashkimit monetar gjerman midis Lindjes dhe Perëndimit. Premtimet për të shëruar plagët e të dy palëve, përfunduan në eliminin e markës gjermano lindore.

Nëse Banka Kombëtare e ish-Gjermanisë Lindore kujtohet për ndonjë gjë, atëherë ajo kujtohet vetëm për shpërbërjen e saj të papritur dhe të plotë. Muri i Berlinit ra më 9 nëntor 1989. Pak muaj më vonë, të dielën më 1 korrik 1990, Banka Qendrore Gjermane i dorëzoi sovranitetin e politikës monetare Bankës Federale të Gjermanisë Perëndimore. Kjo ndodhi tre muaj para bashkimit të dy vendeve, shkruan DW.

Papritur marka e Gjermanisë Lindore doli nga përdorimi dhe marka e Gjermanisë Perëndimore u fut në qarkullim zyrtarisht, si monedha e vetme ligjore. Paratë që ndodheshin në bankat e Gjermanisë Lindore u konvertuan automatikisht. Por gati 17 milionë gjermano-lindorë kishin vetëm gjashtë ditë afat të konvertonin paratë që ndodheshin në duart e tyre dhe jashtë bankave. Pas këtij afati parave i humbi vlera.

Në fakt nuk pati asnjë lloj kioske këmbimi ku mund të bëhej këmbimi. Të gjithë gjermano -lindorët duhet t’ i depozitonin paratë e tyre në një numër llogarie bankare dhe aty të kërkonin këmbimin. Paratë që gjendeshin jashtë bankave pas datës 6 korrik nuk kishin më vlerë. Gara filloi.

Kështu filloi këmbimi i parave me nivele të ndryshme. Kursi i këmbimit 1 me 1 ishte i mundur vetëm për 6 mijë marka për moshat mbi 60 vjeç, 4 mijë marka për të rriturit dhe 2 mijë marka për fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Çdo sasi tjetër parash këmbehej me kurs të ulët 2 me 1.

Bashkim pavarësisht nga kostot

Po pse gjithë ky nxitim pa mësuar më parë gjendjen e ekonomisë në Gjermaninë Lindore, si për shembull produktivitetin dhe aftësinë për të konkuruar? Profesor Wilfried Fuhrmann, ekspert në çështjet monetare dhe ekonomist në Universitetin e Potsdamit, mendon se kancelari Helmut Kohl ishte i interesuar vetëm në marrjen e vendimeve të shpejta, vendime që do ta bënin të pamundur kthimin mbrapsht të bashkimit. Ai donte të arrinte marrëveshjen e bashkimit me çdo kusht, pavarësisht nga kostot.

Plani i këmbimit të papritur të monedhës ishte në kundërshtim të qartë me udhëzimet e dhëna nga Banka Federale e Gjermanisë Perëndimore, të cilat bazoheshin në vlerësimet ekonomike. Shumë vetë e quajtën kursin e këmbimit shumë të lirë, të tjerë thanë se ishte subvencionim masiv i Gjermanisë Lindore ku pagat, qiratë dhe pensionet u konvertuan 1 me 1. Fuhrmann e shikon kursin e favorizuar të këmbimit si një mënyrë për të siguruar që gjermano-lindorët të mblidhnin pak kursime, meqenëse në përgjithësi kursimet i kishin të pakta.

Kufizimet e vendosura kundër kursit të këmbimit kishin si qëllim të nxirreshin në qarkullim paratë e paligjshme dhe të ndaloheshin spekuluesit dhe njerëzit e informuar nga brenda, që të bëheshin milionerë brenda natës. Megjithatë Fuhrmann dyshon për një “zgjim me forcë” që u duk në horizont për shkak të marrjes së vendimeve të papritura dhe të paqarta: “Mekanizmi i ndërlikuar i “këmbimit” shtoi idetë jorealiste” dhe çoi në rritjen e mosbesimit në Gjermaninë Lindore.

Po ashtu kursi i këmbimit “detyroi shumë kompani të falimentonin duke vlerësuar markën e Gjermanisë Lindore më shumë se duhej dhe ushtroi presion mbi aftësinë për konkurrim të firmave në Gjermaninë lindore, duke rritur kështu papunësinë dhe migracionin drejt perëndimit”, thotë ai, “pasoja që ndihen edhe sot”.

Bazë e paqëndrueshme

Që në momentet e para Banka Qendrore e Gjermanisë Lindore pati një betejë të vështirë përpara. Ajo filloi punën me tronditjet e mëdha të pas Luftës së Dytë Botërore. Vendi drejtohej prej katër fuqive fituese të luftës. Vetë gjermanët nuk kishin shumë të drejtë fjale. Marka e vjetër e Rajhut ishte ende monedhë zyrtare dhe tregu i zi lulëzonte. Kursimet nuk kishin asnjë vlerë, rëndësi kishte vetëm mbijetesa.

Për të ndihmuar vendin të futej në rrugën e duhur dhe për të krijuar stabilitetin financiar, sovjetikët ngritën dhe konsoliduan një sërë insitucionesh në Gjermaninë Lindore, të cilat kontrollonin politikat monetare. Mbasi Gjermania Perëndimore shpalli reformën monetare më 1948 dhe krijoi markën gjermane, sovjetikët pasuan duke bërë të njëjtën gjë në Gjermaninë Lindore të pushtuar. Si rezultat Banka Kombëtare gjermano-lindore futi monedhën e vet. Shumë vetë e quajnë këtë momentin kur u pa që ndarja e vendit në dy pjesë nuk kishte më kthim.

Më 1968 banka u quajt Banka Shtetërore e Gjermanisë Lindore (RDGJ). Si shumë banka të tjera qendrore dhe Banka Shtetërore ishte përgjegjëse për nxjerrjen e monedhës në qarkullim dhe kontrollin e parave. Por ajo ishte po ashtu e varur nga Ministria e Financave. Kështu që përveç kësaj ishte edhe e ngarkuar me procedimin e numrit të llogarive të institucioneve të shtetit dhe ndërmarrjeve shtetërore. Ajo ishte po ashtu përndjekëse e valutave të huaja brenda vendit, në mënyrë që të pengohej  krijimi i ndonjë sistemi paralel monetar ose tregu të zi.

Dorëzimi i pasurisë

Megjithëse banka ka qenë gjithnjë nën drejtimin e shtetit, më 1974 një ligj i ndryshoi statusin duke e bërë bankën të varur nga Këshilli i Ministrave, duke mos lënë asnjë lloj iluzioni për varësinë e saj. Bashkimi gjerman 16 vjet më vonë nuk arriti të nxirrte financat jashtë politikës.

Gjëja më e rëndësishme ishte se pas bashkimit monetar përgjegjësinë për bankën Qendrore të Gjermanisë Lindore nuk e morri Gjermania Perëndimore. Kështu që Banka Federale me seli në Frankfurt u armatos mirë, kurse ish banka qendrore e Berlinit Lindor mbeti në mëshirën e fatit. Mbasi humbi kuptimin e të ekzistuarit, pjesa më e madhe e pasurisë së saj u shit, kurse markat e pavlefshme, punonjësit dhe arkivat iu dorëzuan më 1994 Institucionit Kreditues për Rindërtimin (KfW), një banke zhvillimi në pronësi të qeverisë.

Jeta pas vdekjes

Por çfarë ndodhi me gjithë paratë e Gjermanisë Lindore? Sipas KfW, në prag të bashkimit monetar 620 milionë letrat me vlerën të 17, 8 miliardë markave lindore u depozituan për këmbim. Në total 431 miliardë marka gjermano- lindore u këmbyen në marka gjermane, prej të cilave 62 miliardë me kurs këmbimi 1 me 1, kurse pjesa tjetër me kursin 2 me 1.

Papritur bankat u mbushën me monedha pa vlerë. Monedhat metalike ishin 450 mijë tonë me vlerën 640 milionë marka. Ato u shkrinë menjëherë për t’u kthyer në metal, kryesisht alumin.

Kartëmonedhat patën edhe një jetë të mëpastajme. Të gjitha kartëmonedhat, përfshirë paratë në dorë të mbledhura gjatë bashkimit monetar dhe që nuk ishin përdorur asnjëherë si kartëmonedha 200-she dhe 500-she, u mblodhën dhe u futën nën tokë në tunelet e Saksonisë. Mendohej se për shkak të kualitetit të dobët të prodhimit ato do të prisheshin vetë, por kjo nuk ndodhi. Pas vjedhjeve dhe shpërdorimeve, KfW vendosi të përshpejtonte procesin. Në vitin 2002, sasia e tyre prej tre tonësh u përzie me plehra dhe u dogj, duke i dhënë fund një pjese të historisë së Gjermanisë Lindore.

 

Fraksion.com