AktualitetNATO/BETë fundit

Stoltenberg: Kjo është një mundësi historike që nuk mund të humbasë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s diskuton për përparimin e fundit në çështjen e emrit me Kryeministrin Zaev, gjatë takimit që pati me të në selinë e NATO-s në Bruksel.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit qeveritar, ishte në një takim  të premten në Bruksel, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Pas takimit  Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  Stoltenberg dhe  kryeministri Zaev, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat në të cilën Zaev shprehu mirënjohjen e tij, pasi ai tha se në samitin  e NATO-s më 11 korrik, aleanca Veri-Atlantike do të aktivizojë ftesën e hapur për Republikën e Maqedonisë për anëtarësim

“Presim që edhe zyrtarisht të marrim ftesën për t’u bërë anëtarja e 30-të e NATO-s. Presim, që bashkë me miqtë tanë, të marrin pjesë në ceremoninë në të cilën flamuri i Republikës së Maqedonisë do të zërë vend në mesin e vendeve anëtare të Aleancës. Këtë ngjarje jemi dukke e pritur me padurim që nga viti 2008, atëherë kur u konstatua se vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kriteret, dhe se ka arritur standardet e Aleancës, kështu që është bërë e barabartë me të barabartët”, tha kryeministri Zaev, i cituar në një kumtesë të qeverisë, për të shtuar se Maqedonia tashmë ka krijuar raporte miqësore me fqinjët e saj, Greqinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s,  tha se kjo është një mundësi historike që nuk mund të humbasë. Ai tha se në Samitin e NATO-s në dy javë ai pret që shefat e shteteve dhe qeverive aleate do të ftojnë Shkupin për të filluar bisedimet e pranimit.

“Ne sapo kemi pasur një takim të shkëlqyeshëm. Ne diskutuam për përparimin e kohëve të fundit në çështjen e emrit. Unë e përshëndes ngrohtësisht marrëveshjen. Është një arritje e madhe për Shkupin dhe Athinën dhe një demonstrim i vlerës së diplomacisë këmbëngulëse”, tha Stoltenberg

“Dua t’ju përgëzoj për udhëheqjen tuaj personale, për guximin tuaj, duke bërë të mundur arritjen e kësaj marrëveshjeje. Kjo është e rëndësishme për të gjithë ne dhe vërtet ju përgëzoj për këtë”, tha ai.

“Mosmarrëveshja për emrin ka hedhur një hije mbi rajonin për një kohë të gjatë. Ajo ka mbajtur mbrapa prosperitetin dhe sigurinë. Por tani ekziston mundësia për një të ardhme më të ndritur”.

Stoltenberg tha se “Marrëveshja përcakton një shembull për të tjerët në të gjithë rajonin se si të konsolidohet paqja dhe stabiliteti. Pra, edhe një herë, urimi për ju dhe Kryeministrit Tsipras për udhëheqjen, guximin dhe angazhimin që të dy ju keni treguar në arritjen e kësaj marrëveshjeje”.

“Në Samitin tonë për dy javë, pres që shefat e shteteve dhe qeveritë aleate do t’ju ftojnë të nisni bisedimet e pranimit. Dhe sapo të përfundohen të gjitha procedurat kombëtare për të finalizuar marrëveshjen, do të hyni në NATO.

Pa përfundimin e marrëveshjes, vendi juaj nuk mund të bashkohet me NATO-n në të ardhmen e parashikueshme. Pra, kjo është një mundësi historike që nuk mund të humbasë.
Dera e NATO-s është e hapur dhe tani jeni në pragun e derës. Ju keni treguar tashmë angazhimin tuaj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, duke punuar me NATO-n. Për shembull, me kontributin tuaj për praninë tonë në Afganistan. Dhe po kontribuoni për stabilitetin e vazhdueshëm në Ballkanin Perëndimor.

NATO e ndan këtë angazhim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Është e rëndësishme jo vetëm për Ballkanin Perëndimor, por për të gjithë Evropën”, tha Shefi i NATO-s.

“Ne duam tju shohim  në zemër të një rajoni të qëndrueshëm, demokratik dhe të begatë dhe ne do t’ju mbështesim. Unë pres që të vazhdoj të punoj së bashku me ju, dhe gjithashtu t’ju uroj mirëseardhjen në Samitin e NATO-s në korrik”, tha Stoltenberg.

 

Fraksion.com