Presidentit Thaçi do t’i verifikohet pasuria nga AKK-ja
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka organizuar hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është njëri nga zyrtarët që i ra shorti për verifikim të pasurisë, raporton Ekonomia Online. Numri i Thaçit në listë ishte 3.193.
Në listën e zyrtarëve që do t’u bëhet verifikimi i pasurisë janë edhe: Fitore Pacolli-Dalipi – deputete, Adem Mikullovci – deputet, Sevdije Morina – zv.kryeprokurore, Dardan Gashi – ministër, Flamur Sefaj – ministër, Avdullah Hoti – deputet, Milaim Zeka – deputet, Skender Reçica – ministër, Albin Kurti – deputet, Duda Balje – deputete, Nenad Rikalo – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Visar Ymeri – deputet, Mytaher Haskuka – kryetar i komunës së Prizrenit, Driton Selmanaj – deputet, Valdet Sadiku – ambasador në Kroaci.
Hedhja e shortit u bë nga ana e gazetarëve të pranishëm dhe në mënyrë transparente është zgjedhur vetëm një numër.
Numri i zgjedhur ishte numri tre dhe në këtë mënyrë duke filluar nga ky numër, çdo personi të pestë zyrtar do t’i bëhet kontrolli i plotë i pasurisë.
Kontrolli i plotë i pasurisë fillon nga Shqipe Kryeziu, këshilltare komunale në Komunën e Rahovecit, dhe përfundon te numri 4748, Sokol Havolli, këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës.
Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, në fillim të takimit ka treguar për punën e Agjencisë gjatë vitit 2017 dhe fillimin e punës së vitit 2018.
Ai tha se Ligji mbi Agjencinë dhe Deklarimin e Pasurisë pritet të procedohen shumë shpejt në Qeveri dhe më pas të kalojnë në Kuvend.
Havolli tha se lista e deklarimeve të pasurisë të vitit 2018 është dashur të bëhet nga 4748 persona zyrtarë publikë.
Fraksion.com