AktualitetDialogKosovaTë fundit

Pacolli: Të ndërpriten negociatat me Serbinë

Ndonëse faza finale e dialogut Kosovë-Serbi tashmë ka nisur, sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli, ka kërkuar që ky proces të ndërpitet.

Kjo pasi siç ai është shprehur, në negociatat me Serbinë duhet të përfshihet edhe opozita. Sipas tij, bisedimet me Serbinë duhet të ndërpriten derisa të arrihet një kompromis i gjerë i spektrit politik në Kosovë.

“Bisedimet Kosovë-Serbi duhet të vazhdojnë me konsensus, ku të përfshira të jenë të gjitha partitë opozitare, duke formuar një ekip uniteti sikurse në Rambuje e Vjenë.

Është mirë që për momentin të ndërpriten negociatat derisa të gjendet zgjidhja për figurën përfaqësuese dhe ekipin e dialogut. Në këtë ekip duhet të jenë të përfshirë njerëzit më kompetentë nga të gjitha subjektet politike”, ka shkruar në facebook Pacolli, transmeton Zëri.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se ka ftuar partitë politike që gjatë javës që vjen të ulen dhe të bisedojnë për ekipin dialogues.

“Në fillim të javës së ardhshme pres që me bartësit e institucioneve, liderët e partive, të ulemi për të konkretizuar ekipin dialogues të Kosovës që do të punojë për çështjet që do të hapen në dialog, ku do të përfshihet gjithë spektri politik, presidenca, kuvendi, qeveria, partitë, shoqëria civile, mediat, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje sa më fitimprurëse për Kosovën”, ka theksuar ai.

 

Fraksion.com