AktualitetBota+Të fundit

Trump-Putin do të takohen në Finlandë më 16 korrik

Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin do të takohen në Helsinki të Finlandës më 16 korrik, njoftoi Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini.

Planet u finalizuan të mërkurën nga këshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton, i cili mbajti takime të shumta në Moskë, duke përfshirë edhe një me Presidentin Putin.

Takimi i pritshëm mes dy presidentëve sinjalizon një afrim në rritje mes SHBA dhe Rusisë.

Presidenti Trump tha të mërkurën se të kesh marrëdhënie të mira me Rusinë dhe me Kinën si dhe me të gjithë është një gjë shumë e mirë. Ai tha se me Presidentin Putin do të diskutonin mbi Sirinë, Ukrainën dhe “shumë tema të tjera.”

Pikërisht përpara se të njoftoheshin hollësitë e takimit të korrikut, zoti Trump komentoi në Twitter: “Rusia vazhdon të thotë se ata nuk kanë të bëjnë me ndërhyrjen në zgjedhjet tona.”

Presidenti Trump e ka përsëritur vazhdimisht deklaratën e Rusisë se ajo nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Kjo e ka vënë atë në mospërputhje me gjetjet e komunitetit amerikan të zbulimit si dhe me gati të gjithë demokratët dhe republikanët në Kongres të cilët thonë se ka prova të qarta lidhur me përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në fushatën presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

 

Fraksion.com