AktualitetTë fundit

Sezoni turistik, Klosi: Tolerancë zero për subjektet që nuk respektojnë ligjin

olerancë zero ndaj të gjithë subjekteve që nuk do të respektojnë ligjet dhe do të cenojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik. Deklaratën e bëri ministri Blendi Klosi gjatë takimit të Komitetit Rajonal të Turizmit në qarkun e Durrësit,  plazhet e të cilit janë nën patronazhin e katër ministrave të qeverisë; ministrit Klosi, Peleshi, Majko dhe Gjonaj.  Në takimin e mbajtur në prefekturën  e Durrësit, bashkë me ministrat e  përfaqësues të pushtetit lokal, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga biznesi i turizmit.

Prej datës 1 korrik nuk do të ketë asnjë tolerancë apo negocim për  ata që shkelin zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, për subjektet që nuk kanë rojet e plazhit por edhe për lokalet, apo baret që shkaktojnë ndotje akustike dhe shkelin rregullat e vendosura nga bashkia.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u ndal në 3 detyrat kryesore të institucioneve të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik; garantimi maksimal i pastërtisë, siguria në plazhe dhe rritja e standardeve të mikpritjes.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi theksoi se sfida e këtij sezoni është siguria ushqimore për të cilën kreu i bujqësisë tha se është forcuar inspektimi, i paraprirë nga  vetëkontrolli i subjekteve. Ndërsa Ministri Majko kërkoi nga Task forca e turizmit që të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë pa shqetësuar turistët vendas dhe të huaj.

“Nëse ne arrijmë të realizojmë ashtu siç kemi planifikuar të gjitha detyrat për shërbimet cilësore, vitin tjetër dhe më pas në vitet në vazhdim do të kemi turizëm elitar.” – u  shpreh ministri Klosi në përfundim të fjalës së tij duke shtuar se turizmi është në pikën e kthesës dhe  Durrësi vazhdon të jetë poli kryesor i turizmit në vend.

 

Fraksion.com