Republikanët sulm ndaj hetimit për ndërhyrjen ruse
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve, të cilët janë përkrahës të Presidentit Donald Trump nisën të enjten një sulm intensiv mbi dy zyrtarët e tij kryesorë të zbatimit të ligjit përgjegjës për hetimin penal mbi lidhjet e mundshme të fushatës së Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Në një seancë të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë, ligjvënësit akuzuan Zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein për fshehje të mijëra dokumenteve mbi origjinën e hetimit dyvjeçar rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës që dyshohet se kishin për synim të ndihmonin Trump që të fitonte ndaj rivales së tij demokrate, Hillary Clinton.
Ata sulmuan edhe drejtorin e FBI-së Christopher Wray, i cili sipas tyre, ka pranuar se ka patur paragjykime të pafavorshme ndaj zotit Trump nga një numër i vogël agjentësh të FBI-së të angazhuar në hetimin e tanishëm ndaj fushatës së tij dhe në hetimin e mëhershëm të përdorimit të një serveri privat emailash nga zonja Clinton kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.
Seanca dëgjimore u mbajt pak kohë pasi shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, duke injoruar kundërshtimin e pakicës demokrate, hodhi në votim një rezolutë jo detyruese që i tërheq vërejtje Zëvendës Prokurorin Rosenstein për mos respektimin e plotë të kërkesave detyruese për dorëzimin e të gjitha dokumenteve dhe i ka dhënë atij afat deri më 6 korrik për dorëzimin e tyre.
Rosenstein i tha Komisionit të Drejtësisë se mijëra dokumente tashmë i janë dorëzuar komisionit dhe se 100 anëtarë të personelit të Departamentit të Drejtësisë po punojnë intensivisht në analizimin e mijëra dokumenteve për për të përmbushur kërkesat e ligjvënësve.
Rosenstein emëroi Prokurorin e Posaçëm Robert Mueller dhe ka mbikëqyrur hetimin e tij në 13 muajt e fundit mbi ndërhyrjen ruse dhe nëse presidenti Trump pengoi drejtësinë kur shkarkoi ish drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili ka drejtuar hetimin mbi ndërhyrjen e Rusisë përpara se Mueller të merrte përgjëgjësitë për këtë çështje.
Fraksion.com