Rama: Kemi datë për negociatat, në korrik vjen ekipi i KE; Duhet të pajtohemi me këtë fatkeqësi, nuk kemi opozitë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi që i pranishëm në Kuvend të ishte edhe Kryeministri Rama teksa do të diskutohej për negociatat.
Pas dy ndërprerjeve të seancës parlamentare, në sallën e Kuvendit erdhi kryeministri Rama.
Rama nisi fjalën e tij, duke renditur disa arsye për të cilat, ai tha se me këtë opozitë nuk mund të debatohet.
“Duhet të pajtohemi me këtë fatkeqësi, nuk kemi opozitë”, tha Rama në Kuvend.
“Çfarë mund të debatojmë ne këtu me këta? Të debatosh që Shqipëria ka këtë opozitë, e cila është vetmja në historinë e integrimit në BE që është kundër këtij integrimi. Këtë do të debatojmë ne këtu? Këtë e thonë të gjithë miqtë e Shqipërisë që ne takojmë dhe që u angazhuan për Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke bërë më shumë se këta. Të debatosh pse opozita jonë është e vetmja që thotë Shqipëria dështoi, ndërsa Këshilli Europian ka edhe një kartolinë urimi për shqiptarët dhe maqedonasit. Që KE përshëndet vendimin që miqtë dhe partnerët tanë na urojnë dhe vazhdojnë edhe sot të na komunikojnë për të uruar. Është njësoj si të debatosh pse keni rënë në prerin e Esad Pash Toptanit? Sinqerisht ne nuk kemi fare punë me këta, se kemi mjaft punë për të bërë dhe në këtë stad të ri, barra jonë është plotësisht e rëndë dhe nuk mund t’i mbajë këta në kurriz”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se ka marrë ftesë për të shkuar në Bruklsel.
“Kam marrë ftesën me kryeministrin e Maqedonisë për të shkuar në Bruksel për të filluar diskutimin për punën përgatitore, e cila është puna e gjithë procesit analitik për hapjen e negociatave. Këta thonë jepni dorëheqjen”, tha Rama.
Pas fjalës kryeministri Edi Rama u largua nga salla e Kuvendit, ndërsa fjalën e mori Basha.
Basha tha se Rama ka rritur eksportin e krimit, drogës dhe emigracionit. Basha tha se Rama “do iu shesë sapunin për djathë, hapjen e negociatave për mos hapjen e negociatave”.
Fraksion.com