AktualitetNATO/BETë fundit

Emigracioni i jashtëligjshëm, ndan krerët europianë

Tema kryesore e Samitit të krerëve të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel, është emigracioni.

Duke theksuar rëndësinë Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se e ardhmja e unionit varet nga përgjigjet që do të gjenden për këtë çështje thelbësore.

Por, ndarjet për emigracionin e jashtëligjshëm vazhdojnë të thellohen, e ardhja në pushtet e qeverisë populiste në Itali e ka përshkallëzuar krizën.

Analistët mendojnë se, në këtë kuadër, Jugu i Europës, që përballet drejtpërdrejt me fluksin e emigrantëve dhe që ndihet i braktisur nga BE-ja, është vendosur kundër Veriut të kontinetit.

Jo më kot, shefi i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker paralajmëroi se brishtësia e BE-së po rritet, ashtu si të çarat brenda në union. Janë pikërisht udhëheqësit e mbledhur në Bruksel, ata që duhet të adresojnë situatën dhe deklaratat e para nuk duken premtuese.

Austria tha se shpëtimi i njerëzve në Mesdhe nuk duhet kthyer në një biletë drejt Europës Qendrore, ndërsa Italia u shpreh se nuk i hyjnë më në punë fjalët, por ka nevojë të shohë vepra nga Europa.

Për Merkelin, çështja e emigracionit është një temë që rrezikon qeverinë e saj, pasi partneri në koalicion CSU i ka vendosur ultimatum deri në fundjavë për të arritur një marrëveshje për ndalimin e ardhjeve të reja.

Me Italinë që mbyll portet, me disa vende që refuzojnë shpërndarjen e emigrantëve dhe fluksin që nuk ndalet, BE-ja gjendet përballë një sfide të madhe, për të cilën kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk tha se rreziku është i lartë, ndërsa koha e shkurtër.

 

Fraksion.com