AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Rama, përgjegjësi për shtyrjen e negociatave, s’mund t’i bëjë “bisht” debatit

Kuvendi ka nisur sërish me debate, ndërsa kryeministri Rama nuk ndodhet në seancë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kërkoi që i pranishëm në Kuvend të jetë edhe Kryeministri Rama teksa do të diskutohet për negociatat.

Basha u shpreh se Rama është përgjegjësi kryesor për shtyrjen e vendimmarrjes për negociatat dhe ai nuk mund t’i bëjë bisht debatit.

“Është marrë një vendim për shtyrjen e vendimmarrjes për negociatat dhe pengesa kryesore për këtë duhet të jetë këtu, Edi Rama. Në qoftë se zotëria po fshihet apo nuk e mbajnë leqet të vijë këtu, ndërprite seancën. Nuk mundet ai t’i bëjë bisht këtij debati”, tha Basha.

Ndërkohë, Taulant Balla, reagoi duke thënë se debati me kohë të përcaktuar nuk përfshin asnjë lloj detyrimi për të qenë kryeministri në sallë.

“E mirëpresim një debat me ju sot për vendimin historik të hapjes së negociatave, por ju jeni të paimagjinueshëm, Kërkuat debat për dokumentet e ish-sigurimit, por jemi të gatshëm të diskutojmë edhe për negociatat. Gjynah që të ka Shqipëria kryetar opozite. Debati me kohë të përcaktuar nuk përfshin asnjë lloj detyrimi. Kryeministri do të jetë këtu menjëherë pasi në këtë moment është në një bisedë telefonike me kryeministrin e Belgjikës”, tha Balla.

Seanca u ndërpre për 15 minuta, pasi PD kërkoi mbledhje grupi.

 

Fraksion.com