Angela Merkel: Kancelarja luftarake
Para nisjes për në Bruksel kancelarja Merkel dha me ton luftarak para parlamentit një deklaratë qeveritare.
Njeriu, të cilit kjo do t’i interesonte më tepër, nuk qe i pranishëm sot në Bundestag. Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer, tha se ka takime dhe nuk merr dot pjesë në seancën parlamentare. Një shenjë? Sigurisht jo rastësi. Por nëse Seehofer do të kishte qenë i pranishëm gjatë deklaratës qeveritare të Kancelares, atëherë do ta kuptonte se Angela Merkel nuk e konsideron veten të mundur.
Prezantim pasionant
Angela Merkel nuk është tip pasionant, forca e saj qëndron tek analiza e kthjellët jo tek emocionet. Por në fjalimin e sotëm ajo qe shumë emocionale dhe e vendosur. Ajo gjestikuloi më tepër se zakonisht. Kancelarja tha se në lidhje me çështjen e refugjatëve dhe shpërndarjen e tyre në vendet e BE-së nuk pret shumë prej samitit të Brukselit. Por sikurse tha ajo Evropa ka shumë sfida dhe ajo e migracionit mund të kthehet në çështje vendimtare për të ardhmen e BE-së.
Vendimtare kjo çështje është edhe për vetë kancelaren, sepse në rast se ajo nuk kthehet nga Brukseli me një përfundim të pranueshëm edhe për CSU, mund të ketë probleme me të ardhmen e saj politike.
Sa më shumë vende aq më mirë
Merkel do që të fitojë sa më tepër vende për zgjidhjen e çështjes së refugjatëve. Ajo thotë që nuk duhet të ketë zgjidhje “të njëanëshme”, “të pakoordinuara” ose “në kurriz të palëve të treta”. Ajo kërkoi më tepër bashkëpunim edhe me vende afrikane në lidhje me riatdhesimin e azilkërkuesve.
Ministri i Brendshëm gjerman Seehofer ka dalë hapur kundër kancelares dhe i bën asaj presion, se në rast se ajo nuk do të arrijë një zgjidhje evropiane, ai nuk t’i lejojë të hyjnë në Gjermani ata emigrantë që kanë kërkuar azil në një vend tjetër. Kancelarja theksoi se legjislacioni evropian ka prioritet përpara legjislacionit gjerman.
Fundjavë bisedimesh
Se si do të përfundoja grindja mes partive simotra CDU dhe CSU nuk dihet. Pas takimit të Brukselit Angela Merkel do të informojë kryetarët e partive dhe të grupeve parlamentare në Bundestag rreth bisedimeve në BE. Të shtunën Merkeli do të takohet me Seehoferin. të dielën partitë simotra do të diskutojnë secila për vete. Dhe në rast se nuk do të arrijnë në ndonjë konkluzion, do të vazhdojnë të hënën./DW
Fraksion.com