AktualitetTë fundit

Sonila Meço: Në 2019 Europa s’do na ‘e varë’

Pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE në samitin e Luksemburgut pasditen e djeshme, të cilët vendosën si datë të hapjes së negociatave për Shqipërinë  qershorin 2019,  ka reaguar edhe gazetarja Sonila Meço.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ajo thotë se shtyrja e hapjes së negociatave  është jo vetëm humbje por dhe shumë problematike.

 

“Humbje

Shumë problematike është shtyrja e hapjes së negociatave, si një moment simbolik për zgjerimin dhe ushqimin e shpresës në Shqipëri për gjetjen më në fund të kahjes së duhur. Kahjes së duhur për të patur shtet e përkatësi nëpërmjet tij në bashkësinë europiane.

Shumë problematike, sepse zgjerimi me një shtet si yni nuk bind, sepse as shpresa nuk ushqehet më dot me vullnete të hekurta eurokratësh, që ç’nuk sajuan e dot nuk ‘mashtruan’ anëtarët e bashkësisë mbi atë se ç’ndodh realisht këtu.

Shumë problematike, sepse edhe mbështetësit më të mëdhenj të kauzës së integrimit në Bruksel deklaronin se shtyrja e hapjes së negociatave për vitin 2019, që përkon me zgjedhjet për Parlamentin Europian do ta gjente Europën të çfokusuar. E nëse na pa vëngër kur qe sy e veshë këndej Europa, mund të imagjinohet se sa do na ‘e varë’ kur të jetë duke konsumuar politikën e vet në ethe zgjedhore.

Pa do jemi ne në zgjedhje në 2019 e aty ‘shkëlqen’ makineria jonë e çdo mëkati, që Europa s’po do të na e falë. Nga mungesa e reformës zgjedhore tek blerja e votës dhe lufta kundër krimit të organizuar, që organizon edhe zgjedhjet në Shqipëri.

Dhe mu për këto arsye, lajmi është edhe më dramatik, sepse qeveria e para di mirë gjithçka më sipër e në ‘lëshim’ si ky nga Europa do bëhet edhe më agresive, si ai që s’ka ç’humb më…në fakt si ai që mendon se kur nuk ka ç’humb, i lejon vetes gjithçka për të fituar ç’të mundet. Nuk ka humbje dinjitoze në këtë situatë”, shkruan Meço.

 

Fraksion.com