SHBA: në prag të votimit për ligjet e imigracionit
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë një shans të fundit për të miratuar një reformë madhore të imigracionit, e cila do të sillte financimin e një pjese të murit në kufirin me Meksikën, të propozuar nga Presidenti Trump, do të trajtonte krizën e ndalimit të familjeve dhe do të siguronte rrugën drejt shtetësisë për 1.8 milionë të rinj pa dokumente. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Kongres, Katherine Gypson, kjo përpjekje, edhe pse po paraqitet si një formë kompromisi, mund të jetë e vështirë të miratohet.
Eshtë tashmë e njohur thirrja e Presidentit për të marrë masa në kufi:
“Duhet ta ndryshojmë të gjithë sistemin e imigracionit. I kemi mundësitë ta bëjmë këtë, na duhet një mur kufitar dhe siguri në kufi.”
…Por jo pikërisht shtytja që u nevojitet republikanëve…
“Do të donim shumë që Presidenti ta mbështeste në mënyrë më aktive ligjin, kjo tregon se ç’mendon ai për këtë çështje.” – thotë republikani Tom Cole.
…..Një nga twitet e presidentit Trump, ku ai thotë se projektligji nuk ka shanse të miratohet në Senat, është faktor me rëndësi që e bën të pamundur arritjen e 215 votave të nevojshme.
Tjetër çështje e vështirë? Që ligjvënësit të bien dakord për disa pjesë të ligjit, si rritja e fondeve për sigurinë kufitare dhe ofrimi i rrugës drejt marrjes së shtetësisë për 1.8 millionë imigrantë pa dokumente, të ardhur kur ishin fëmijë. Po ashtu, krijimi i sistemit të verifikimi të punësimit, si dhe shkurtime të tjera me rëndësi, si dhënia fund e lotarisë së vizave.
“Vështirë që ligjet të miratohen…gjendja duket e tepër e përçarë, që republikanët t’i japin zgjidhje,”- thotë analistja Sarah Binder.
Debati i tanishëm lidhur me fëmijët e ndarë nga prindërit pa dokumente, e shton urgjencën për votimin e ligjeve të imigracionit.
“Shpresoj që Kongresi do t’i miratojë ligjet dhe do ta zgjidhë problemin. Përse duhet të jetë kaq e vështirë? Të gjithë thonë se nuk duan t’i ndajnë familjet,”- tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Çështja që po diskutohet? Një zgjidhje në gjykatë, ku të thuhet se qeveria nuk mund t’i mbajë fëmijët të ndaluar më tepër se 20 ditë, gjë që e bën të pamundur që familje të ndalohen së bashku. Autoritetet e imigracionit thonë se ky vendim ua lidh atyre duart.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan thotë se duhet miratuar më parë ligji më i gjerë për imigracionin, i cili e trajton edhe çështjen e fëmijëve të ndaluar, dhe më pas të shqyrtohet masa e ndalimit për 20 ditë:
“Dua të përqëndrohemi tek votimi i ligjit të përgjithshëm dhe të dalim sa më mirë që të jetë e mundur në votim; nëse nuk arrijmë të kemi votat e mjaftueshme, atëhere ta kalojmë urën…”
Një urë që ligjvënësit do të duhet ta kalojnë shpejt, ndërsa kanë mbetur vetëm dy ditë para fillimit të pushimeve dy-javore të Kongresit./VOA
Fraksion.com