Raporti Vjetor i Drogave: Shqipëria rekord në botë për përdorimin e kokainës
Vendi ynë ka një prevalencë të përdorimit të kokainës prej 2.5%, për grupmoshën midis 15 dhe 64 vjeç (prevalenca nënkupton që një individ e ka përdorur kokainën të paktën një herë gjatë jetës). Të dhënat janë marrë nga Instituti i Shëndetit Publik dhe pyetësorët e Raportit Vjetor (AQR).
Ndryshe nga renditja e vitit të kaluar, kur Shqipëria kryesonte e vetme, këtë vit në të njëjtin nivel me ne është dhe përdorimi i kokainës në Australi (në raportin e një viti më parë Australia e kishte prevalencën 2.1%). Më pas renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2.4) dhe Mbretëria e Bashkuar (2.3). Kolumbia, ndonëse një nga prodhuesit kryesorë në botë, ka një prevalencë më të ulët sesa 1%.
Në rajon, përdorimi i kokainës është shumë më i ulët. Bosnja e ka prevalencën 0.63%, Kroacia 0.8%, në Mal të Zi arrin në 0.6%, në Serbi vetëm 0.1% dhe në Maqedoni maksimumi 0.65%.
Ndryshe nga kokaina, shqiptarët nuk “shquhen” për konsum të kanabisit. Prevalenca e përdorimit të kësaj bime, që të paktën në 2016-n u kultivua masivisht tek ne, ishte 5.6% për grupmoshën midis 15 dhe 65 vjeç. Në botë, rekordin për përdorimin e kanabisit e mban Izraeli, me një prevalencë prej 27%. Më pas vijnë SHBA me 17%, Kili me 15%.
Përdoruesi më i madh i kanabisit në rajon është Kroacia me 7.9%, Mali i Zi e ka prevalencën maksimumi 2.5%, Bosnja, maksimumi 3%, Serbia 1.6%, Maqedonia 1.58%. Në Itali ky tregues është 9.2%.
Shqipëria ka një përdorim të lartë edhe të qetësuesve dhe sedativëve, me prevalencë prej 8.5%, sipas të dhënave në raport, ndërsa mesatarja pjesës më të madhe të shteteve është nën 5%. Gjithsesi, rekordin në rajon e mban Kroacia, me 17.3%, ndërsa në botë kryeson Çekia me 19.5%.
Raporti Vjetor i Drogave 2018 e rendit Shqipërinë, si një ndër vendet më të përmendura për trafikun ndërkombëtar të barit të kanabisit, së bashku me Holandën të ndjekura në distancë nga Çekia, sipas raportit vjetor të Drogave 2018, të sapopublikuar nga UNODC (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet).
Ndërsa në hartën globale, Shqipëria është e përfshirë në rrugën e trafikimit të heroinës nga Azia, me origjinë nga Afganistani, që kalon përmes Turqisë dhe më pas i drejtohen Europës Perëndimore. Bullgaria është një tjetër shtet që përfshihet në këtë gjurmë./Monitor
Fraksion.com