AktualitetNATO/BETë fundit

Negociatat në qershor 2019. Prapaskenat e vendimit në Luksemburg

Euractiv e përshkruan si kompromis të dhimbshëm vendimin e Bashkimit Europian për të çelur vitin e ardhshëm negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, nëse përmbushen kushte të caktuara.

Vendet anëtare, thuhej ne njoftimin e presidencës bullgare në “Twitter”, i hapën rrugën bisedimeve të anëtarësimit me të dy këto shtete qershorin e vitit 2019. Pas 10 orësh debati.

Ministri austriak i Çështjeve Europiane Gernot Bluemel thotë se i ka kërkuar ai Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të bllokut, që të përgatisë terrenin për nisjen e negociatave, por me kushtin që të zbatohen më parë disa kritere.

Progresi duhet të përfshijë rezultate të mëtejshme të prekshme e të qëndrueshme lidhur me reformat e gjyqësorit, shërbimeve të sigurisë, administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit.

Austria është ajo që do të marrë presidencën e radhës së BE-së në korrik, ndaj duket u tregua dhe kaq aktive në këtë situate.

Rezultati befasues, pavarësisht mbështetjes së gjerë të Bashkimit Europian, tregoi se peshën kryesore në dokumentin përfundimtar të këtij takimi e ka pasur pikërisht vendosmëria e presidentit francez Emanuel Macron për ta shtyre një vendim mbi çështjen deri pas zgjedhjeve të parlamentit europian të muajit maj, nga frika e rritjes së ndjenjave anti-establishment.

Nga ana tjetër, ai tregon dhe një lloj synimi për të frenuar hovin e Gjermanisë dhe shefit ekzekutiv të BE-së, Jean Claude Juncker të cilët kanë kërkuar ta mbajnë Ballkanin Perëndimor jashtë influencës së Rusisë duke i ofruar të 6 vendeve të tij një rrugë të sigurt drejt anëtarësimit europian.

Rezervat e shprehura nga Franca dhe Holanda në Luksemburg ishin të qarta. Marrëveshjen për çeljen e bisedimeve e ka negociuar, sipas Euractiv, ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn.

Johanes Hahn shkruante në Twitter se vendimi i marrë atje do të ishte thelbësor edhe për vetë besueshmërinë e BE-së. Me këtë “po” të paplotë, Brukseli kërkon praktikisht t’i shpërblejë të dy vendet për progresin shënuar dhe t’i nxisë që të vazhdojnë rrugën e reformave.

 

Fraksion.com