AktualitetEkonomiTë fundit

Ministria e Financave, tjetër tender konsulence, tani për një strategji mbi zhvillimin ekonomik

Pas një procedure prokurimi për të marrë konsulentë në lidhje me borxhin, dhe më pas edhe për daljen në tregjet e kapitalit për një eurobond, Ministria për Financat dhe Ekonominë ka vendosur të kontraktojë një kompani që do ta asistojë nga ana teknike mbi një strategji të re për zhvillimin ekonomik.

Referuar dokumenteve të bëra publike pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, konsulenti do të ketë si detyrë hartimin e një dokumenti që harmonizon politikat e zhvillimit me objektivat e vendosura nga Komisioni Europian, por edhe me dokumentet e tjera në fuqi një pjesë e të cilave u mbaron periudha e mbulimit në vitin 2020.

“Qëllimi i kësaj kontrate shërbimi është analiza e profilit dhe potencialit ekonomik të vendit duke e krahasuar me modelet ekonomike të vendeve me potencial të ngjashëm, si dhe praktikat më të mira të dokumenteve strategjike për zhvillimin ekonomik, në funksion koordinimit të procesit të hartimit të strategjisë me nismat e tjera rajonale dhe  ndërkombëtare në të cilat vendi bën pjesë, me qëllim ruajtjen e sinergjive dhe duke shmangur mbivendosjet”, thuhet në dokumentet e Financave.

Po kështu në funksion të bashkërenditjes dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e tjera (publike dhe private) dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe krijimit të grupe ad hoc, sipas nevojës për zbatimin e aktiviteteve. Së fundmi konsulenti mund të propozojë udhëzime mbi nevojën e krijimit të instrumenteve të reja që promovojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

Rezultatet e pritshme janë renditur në katër pika ku, së pari, përcaktimi i një vizioni për zhvillimin ekonomik të vendit, nëpërmjet një analize e  lidhur me nivelin aktual të zhvillimit ekonomik në këndvështrimin e perspektivës së hartimit dhe zbatimit të një strategjie të re për nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Së dyti, ofrimi i rekomandimeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të politikave ekonomike sipas sektorëve të ekonomisë.

Së treti, propozimin e një mekanizmi ligjor/rregullator dhe institucional për zbatimin dhe monitorimin e SZHE (Strategjia e Zhvillimit Ekonomik), duke përcaktuar treguesit/dimensionet sipas sektorëve të ekonomisë.

Së katërti, hartimin e një plani të detajuar veprimi afatmesëm dhe afatgjatë 2020-2025, me konsultimin e të gjithë aktorëve të përfshirë sipas indikatorëve/sektorëve/fushave, për përfshirjen e reformave/aktiviteteve konkrete, bazuar në analizën e indikatorëve të PKV, ku të detajohen objektivat e reformave ekonomike/aktiviteteve, hapat dhe indikatorët matës përkatës, afatet e zbatimit, si dhe identifikimi i qartë i roleve institucionale (koordinator, përgjegjës sipas aktivitetit).

Fondi limit i procedurës së prokurimit është 22.5 milionë lekë dhe afati i fundit për dorëzimin e ofertave, 11 korrik 2018./Monitor

 

Fraksion.com