Kultura politike e kompromisit: Vlerë europiane e munguar në Shqipëri
Komisioni Europian dhe autoritetet e larta të Tiranës përshëndetën dakortësinë e arritur për hapjen e bisedimeve të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë, në qershor të vitit 2019.
Johannes Hahn, Komisioneri i Zgjerimit dhe Fqinjësisë së mirë e vlerësoi vendimin“si një sinjal të rëndësishëm për rajonin, që tregon se progresi shpërblehet dhe është vendimtar për besueshmërisë e vetë BE”
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, përshëndeti sot (27.06.2018) vendimin e djeshëm si një sinjal të “vullnetit pozitiv të Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për të mirëpritur procesin e integrimit të Shqipërisë dhe gjithë rajonit në BE.”
Në deklaratën e tij ai thekson se “Provimi i Shqipërisë në qershor 2019 është i vështirë. Duhen lexuar mirë dhe me përgjegjësi sfidat serioze që kemi përpara sidomos në sundimin e ligjit”. Në këtë kontekst ai ftoi sot të gjitha palët të “kenë përgjegjësi dhe të bashkëpunojnë”. Në të njëjtën linjë lidhur me sfidat që Shqipëria duhet të fitojë për të merituar hapjen e neëgociatave pas një viti është edhe kryeministri Rama. Vendimin e BE për të hapur bisedimet për pranim në BE ai e vlerëson në një status në Facebook vetëm “si një betejë të fituar në luftën që vijon”.
Romana Vlahutin, Ambasadorja e Delegacionit të BE në Tiranë, tha se vendimi i BE përmban 3 gjëra të rëndësishme për Shqipërinë që janë: “Njohja e rekomandimit per të gjitha reformat; një kalendar të qartë, një datë të qartë për konferencën ndërqeveritare: pranimin nga Këshilli i Përgjithshëm i Ministrave të BE që Komisioni Europian të nisë punën përgatitore. Kjo na jep mundësi të lëvizim me një ritëm më të shpejtë dhe të fillojmë përgatitjet”
Qëndrime të kundërta lidhur me vendimin e BE.
Bashkëpunimi mes palëve hyn në lojë si çelësi i suksesit. Ftesa e Presidentit Meta është kuptimplote në klimën aktuale konfrontuese që ka politika e Tiranës. Kjo gjeti shprehje edhe në këndvështrimin e opozitës ndaj vendimit të sapomarrë të BE.
Lulzim Basha, e sheh shtyrjen një vit të fillimit të bisedimeve të anëtarësimit si pasojë ”e krimit dhe korrupsionit. Pa luftuar krimin dhe korrupsionin, vendimi në 2019 do të jetë refuzues si sot”, parashikon ai në nje deklaratë për mediat. Ndërsa deputeti demokrat Genc Pollo, kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian mendon se për vota e BE në takimin e Luksenburgut “kryeministri Rama dhe Ministri për Europën dhe Çështjet e Jashtme Bushati duhet të japin dorëheqjen.
Kultura politike e kompromisit- vlerë europiane e munguar në Shqipëri.
Këndvështrimet e kundërta për fillimin e kushtëzuar të bisedimeve të anëtarësimit në BE, në verën e vitit 2019, janë vijim i një tradite të konsoliduar tanimë në politikën e Shqipërisë. Thelbi i saj është që ngjarje të rëndësishme politike interpretohen pa objektivitet racional, por sipas emocioneve të politikës së ditës dhe konfrontimit politik mes palëve, edhe kur janë „fakt i kryer“ dhe përtej vullnetit të tyre. Qëndrimi i opozitës ndaj dakortësisë së arritur në takimin e Luksemburgut është argumenti më i freskët për mungesën e kulturës politike të kompromisit si vlerë politike europiane. Dakortësia e arritur jo lehtë në takimin e Luksenburgut ka një rëndësi të madhe kombëtare dhe prandaj është përtej axhendave të luftës politike në vend. Ajo përcakton qartë rrugëtimin e Shqipërisë ne plotësimin e kushteve për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019./DW
Fraksion.com