Kremlini mbi planet për takimin Trump-Putin
Zyrtarët e Kremlinit thonë se ekziston një marrëveshje që Presidenti rus Vladimir Putin dhe President Donald Trump të takohen në një vend të tretë.
Njoftimi u bë të mërkurën, ndërkohë që këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, ndodhet në Moskë për bisedime me zotin Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.
Ndihmësi i Kremlinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, tha se hollësitë lidhur me vendin ku do të mbahet takimi Trump-Putin do të bëhen të njohura të enjten.
Takimi pritet të mbahet pasi Presidenti Trump të marrë pjesë në takimin e NATO-s më 11 dhe 12 korrik dhe pasi të ketë vizituar Britaninë më 13 korrik. Ndër vendet ku thuhet se mund të mbahet takimi, janë Viena dhe Helsinki.
Më parë, presidenti rus Putin i tha Bolton se vizita e tij në Moskë ka shtuar shanset për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Putin tha marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë në “gjendjen më të mirë të mundshme”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se situata jo e mirë e marrëdhënieve mes dy vendeve është temë që do të diskutohet në takim, krahas një sërë çështjesh të tjera ndërkombëtare.
Bolton tha se shpreson që vizita e tij një ditëshe të përgatisë terrenin për atë që do të jetë takimi i parë i zyrtar mes Presidentëve Trump dhe Putin.
Dy udhëheqësit janë takuar më parë në kuadrin e konferencave ndërkombëtare dhe kanë biseduar disa herë në telefon.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës janë tensionuar, për shkak të rolit të Rusisë në konfliktin e Sirisë dhe të dyshimeve për helmimin nga Rusia të një ish-agjenti rus në Britani.
Marrëdhëniet u keqësuan sidomos pas aneksimit nga Rusia të Krimesë dhe ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Fraksion.com