AktualitetTë fundit

Gjiknuri diskuton projektet për infrastrukturën dhe energjinë

Në Uashington duke nisur nga data 25 qershor deri në 29 qershor mbahet Konferenca Botërore për Gazin, një nga organizimet më të rëndësishme të industrisë globale të gazit. Në këtë konferencë, e cila zhvillohet çdo tre vjet ishte i pranishëm dhe ministri shqiptar për Infrastrukturën dhe Energjinë Damian Gjiknuri. Zoti Gjiknuri ishte i ftuar në studio për një intervistë lidhur me këtë takim sikurse dhe për zhvillime të tjera në Shqipëri që kanë të bëjnëkryesisht me sektorët që mbulon ministria që ai drejton.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjiknuri, çfarë pret Shqipëria nga konferenca të kësaj natyre? Duhet thënë se vendi ka hyrë në hartën botërore të gazit falë një projekti të madh sikur ai i Gazsjellësit Trans Adriatik.

Damian Gjiknuri: Shqipëria ftohet në këtë konferencë për herë të parë, sepse ajo ka hyrë tashmë në rrugën e gazit, në fushën e gazit dhe hartën botërore të gazit. Mbi të gjitha u insistua nga Departamenti i Shtetit që Shqipëria të merrte pjesë për faktin se ata donin të bënin me dije rolin jashtëzakonisht pozitiv që kanë luajtur autoritetet shqiptare në bërjen të mundur të ekzekutimit të korridorit të jugut, pra bërjes realitet të kësaj vepre të korridorit të jugut. Pra, TANAP-i dhe TAP-i, një rrugë alternative të furnizimit me gaz për Bashkimin Europian, e rëndësishme për SHBA, që donin të vinin në pah rolin pozitiv të SHqipërisë, sepse ndryshe nga çfarë mendohej në fillim se do të ishte një vend i vështirë për ekzekutimin e këtij projekti, Shqipëria përkundrazi, u bë vendi më shembullor dhe këtë ma thanë edhe në takimet që pata edhe në Departamentin e Shtetit si edhe nga zyrtarë të lartë amerikanë si sekretari i shtetit Pompeo edhe sekretari i energjisë, ku u pa me shumë interes roli i Shqipërisë dhe mbi të gjitha roli pozitiv që ka luajtur Shqipëria në sigurinë energjitike të Europës, që është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë ndërkombëtare dhe me sigurinë amerikane. Realisht qe një vlerësim për Shqipërinë dhe fat që morëm pjesë për herë të parë, ku mu dha mundësia të komunikoj edhe me lidera kryesorë të fushës së gazit dhe naftës. Dua të theksoj edhe diçka për publikun që na ndjek: Ne jemi duke zhvilluar një program shumë intensiv me departamentin e energjisë dhe me departamentin e shtetit të SHBA-ve për të mbështetur gjithë sektorin hidrokarbur në Shqipëri, duke dhënë asistencë dhe për të organizuar së bashku legjislacionin modern të trajtimit të sektorit hidrokarbur në vend.

Zëri i Amerikës: Zoti Gjiknuri, si e shihni ju vendimin e një dite më parë të ministrave të jashtëm të BE-së, mbetje në vend, arritje, gjysëm arritje? Qeveria pjesë e së cilës jeni edhe ju ishte shprehur tejet optimiste gati-gati premtoi se negociatat do të hapeshin këtë vit.

Damian Gjiknuri: Ky është një proces që nuk varet vetëm nga Shqipëria. Reformat dhe suksesi i reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare u certifikuan nga Komisioni Europian, i cili rekomandoi hapjen e negociatave. Por ne e dimë që brenda Europës ka dinamika të tjera politike. Ka shtete që për shkaqe të brendshme dhe për politika të tyre të brendshme janë kundër zgjerimit në parim. Nisur nga kjo dinamikë, ajo çka u arrit dje është një sukses, pasi politikat e brendshme të disa shteteve mund edhe ta vinin në dyshim procesin e zgjerimit.

Zëri i Amerikës: Është e vërtetë dinamika e disa vendeve brenda vendeve të BE-së, por të mos harrojmë edhe faktin që Evropa vendosi disa kushte që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar apo korrupsionit, që do të thotë se qeveria shqiptare nuk i kishte bërë mirë detyrat e saj të shtëpisë.

Damian Gjiknuri: Këto janë reforma që janë në proces. Komisioni Europian që në fillim vlerësoi këto reforma dhe kërkoi të njëjtën gjë, që të dy shtetet si SHqipëria edhe Maqedonia të vazhdojnë në rrugën e reformave. Duhet kujtuar një gjë dhe të mos bëjmë naivin: ne e dimë shumë mirë debatin që zhvillohet brenda Europës dhe nuk është një moment i mirë, sepse ka disa shtete, të cilat përgjithësisht kanë qenë kundër zgjerimit në parim dhe për këtë ka debate.

Zëri i Amerikës: Cilat janë garancitë që negociatat do të hapen në 2019?

Damian Gjiknuri: Nuk mund të jap garanci se çka mund të ndodhë me shtetet europiane, por një gjë ka dalë e qartë, siç tha edhe përfaqësuesja e Komisionit Europian në Tiranë: Kemi një dritë jeshile shumë të qartë, kemi një datë tashmë të përcaktuar, dhe me progresin e reformave të nisura, do të jetë më i thjeshtë procesi i vendim-marrjes të Komisionit Europian. Tani, nëse BE do të hynte në një cikël, që askush nuk do ta parashikojë, kjo është një gjë që nuk varet nga ne, dhe as nuk mund ta parashikoj unë.

Zëri i Amerikës: Meqenëse po flasim për kushtet e BE-së që kërkon ndër të tjera efikasitet në luftën kundër korrupsionit. Zoti ministër, në Shqipëri është drejt finalizimit marrëveshja në fushën e hidrokarbureve për tre vendburime të naftës atë të Cakran-Mollajt, Gorisht-Koculit dhe Amonicës. Ministria juaj 9 maj ka urdhëruar ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure me kompaninë Transoil Group AG. Por në shtyp janë hedhur dyshime, falë dhe investigime të kryera se ju po favorizoni në kompani të lidhur me kompaninë ruse Gazprom. A keni ju ndonjë koment lidhur me këtë?

Damian Gjiknuri: Kjo përzgjedhje është bërë në bazë të një procedure të hapur ndërkombëtare. Së dyti, kompania Transoil, që ju përmendni, ka një veprimtari në Shqipëri qysh në vitin 2011-12, në mos gaboj, si një kompani e regjistruar në Zvicër. Pra, kjo nuk është një gjë e re. Së treti, nuk kam një informacion të tillë dhe doja t’iu thoja, që nëse do të ishte e tillë, ju mendoni që zyrtarët amerikanë, të cilët bashkëpunojnë shumë afër me qeverinë shqiptare në sektorin hidrokarbur do të kishin mundësi të takoheshin me mua dhe të mirëprisnin në një aktivitet kaq të madh ndërkombëtar, nëse interesat amerikane do të viheshin në dyshim? Besoj se kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje, pasi gjithçka që është bërë aty është transparente, është diçka në proces, sepse negociatat nuk kanë përfunduar. Në marrëveshjet hidrokarbure duhen pranar termat që dëshiron qeveria shqiptare dhe që mund të pranohen nga investitori. Por në dijeninë time, nuk kam asnjë provë që mund të ketë akuza të tilla. Për herë të parë, Shqipëria po zhvillon procedura të tilla transparente në fushën e naftës, sepse më parë jepeshin në mënyrë direkte.

Zëri i Amerikës: Lidhja sipas investigimit në media është vënë re tek një letër që përfaqësuesi në Shqipëri i Transoil Group AG Shefqet Dizdari i ka bërë zv/drejtorit të zhvillimit të biznesit ndërkombëtar të Gazprom Neft, pas shfaqjes së interesit në 2017 të kompanisë “Jurimex Kommerz Tranzit Ges”, për këto tre vendburime.

Damian Gjiknuri: Së pari, unë nuk e di se çfarë komunikimesh kanë kompanitë. Gazprom është një kompani e madhe që operon me shumë kompani në Europë. Por nuk di dhe jam i sigurtë për këtë, që nuk ka një interes të Gazpromit direkt, apo një kompani e lidhur direkt me Gazpromin, që të mund të shtjerë në dorë këto fushat e naftës. Sa komunikime ka Gazpromi me kompani të tjera unë nuk mund të hamendësoj. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë, që nga ana ligjore nuk ka ndonjë ndalim për kompanitë ruse apo nga shtete të tjera për të marrë pjesë; nuk ka ndalim ligjor. Është tjetër gjë se çfarë mund të bëjë qeveria shqiptare brenda autoritetit që ka dhe brenda klauzolave të sigurisë kombëtare për të refuzuar një ofertë ose jo, por nga ana ligjore nuk është se origjina e kapitalit ndalohet përveçse kur ndonjë kompani është në listën e sanksioneve të SHBA-ve dhe të tjerë.

Zëri i Amerikës: A i dini ju se cilët janë pronarët e Transoil Group AG?

Damian Gjiknuri: Është një kompani me shumë pronarë e regjistruar në Zvicër, sepse është kompani aksionere, pra është e tregtuar në bursat e atij vendi. Origjina e kapitalit nuk ka ndonjë rëndësi themelore, për aq kohë sa nuk ndikon në procese që mund të vënë në diskutim sigurinë kombëtare. Kompanitë publike që tregtohen lirshëm, se ju e dini mirë, se jetoni këtu në SHBA, se ato që tregtohen lirshëm në bursa, origjina e kapitalit nuk ka rëndësi, sa kohë që është e rregullt nëpërmjet sistemit financiar ndërkombëtar, unë e quaj të pranueshme. Kompania në fjalë, me aq informacione që kam dhe nga artikulli që ju përmendët, është regjistruar në shtetin zviceran, dhe së dyti, ka operuar në Shqipëri, përpara se të bëhesha unë ministër.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri Transoil Group operon nëpërmjet Transoil Sh.a e cila prej 2012, punon në një tjetër fushë naftëmbajtëse atë të Visokës. Zoti ministër pse për këto tre vendburime është zgjedhur një kompani (Transoil Group) e cila ka detyrime të praprambetura në para apo sasi nafte ndaj Alpetrolit apo ka shkelur afate që i shërbejnë punës së saj? Ju kujtoj, se këto tre vendburime u tenderuan pasi u prinshën para afateve marrëveshje me të tjera kompani për shkak të akumulimit të detyrimeve finaciare apo apo nafte bruto ndaj Albpetrolit.

Damian Gjiknuri: Në marrëdhënie kontraktuale, kompanitë krijojnë detyrime. Në informacionet që kam dhe në dokumentacionin që më është vënë në dispozicion, ka një marrëveshje mes Albpetrolit dhe kësaj kompanie për shlyerjen e këtyre detyrimeve. Mbi të gjitha ka patur vështirësi nga Albpetroli për të tërhequr një sasi nafte në kohë për shkak të ngarkesës së depozitave. Heqjen apo prishjen e marrëveshjeve të kompanive të tjera kanë ndodhur përtej afateve, kur palët kanë rënë dakord për marrëveshje. Pra, një debitor i jepet mundësia dhe bëhet një marrëveshje; kur kalojnë afate, madje kur kalojnë edhe 6 muaj shkelje materiale dhe nuk janë korigjuar, atëherë jemi në kushtet e prishjes së marrëveshjes. Në rastin e Transoil nuk jemi në këto kushte. E rëndësishme është pyetja bazë që shtrohet: Si u përzgjodh kjo kompani? U përzgjodh në bazë të një procedure të hapur ndërkombëtare dhe këtë e ka bërë qeveria shqiptare qysh nga viti 2014 e deri sot. Më parë se 2013 asnjë fushë nafte nuk e kemi me procedura konkurimi.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër ju prezantuat tarifat e reja për atë që njihet si rruga e kombit, që pritet të nisin të zbatohen rreth mesit të muajit shtator. Në tarifat e reja, ju keni propozuar ulje të konsiderueshme në raport me atë që u ofrua më parë. Por pse duhet një banor i Kukësit të paguajë qoftë dhe 100 lekë për një rrugë, kur qeveria nuk ofron një rrugë alternative. Po marr si shembull SHBA-në, askush nuk të detyron të kalosh në një rrugë me tarifë, përveçse si zgjedhje, pasi ekzistojnë dhe rrugët alternative pa pagesë për të mbritur në destinacion.

Damian Gjiknuri: Së pari, është fakti që nuk kemi një rrugë dinjitoze alternative, sepse aty ka një rrugë alternative, nuk është e izoluar, ndaj ne vendosëm të bëjmë një përjashtim që është kundër praktikave, pra, të bëjmë një përjashtim, për qytetarët e qarkut të Kukësit. Ky përjashtim nuk vlen për të tjerët. Pse? Ajo rrugë ka kosto shumë të larta për mirëmbajtje dhe ka nevojë për investime kapitale. Është e pamundur që qeveria shqiptare ta financojë këtë rrugë në pafundësi. Ne po marrim risqet tona financiare nga buxheti i shtetit.

Zëri i Amerikës: Po kush e mban përgjesinë për koston e këtij konçesioni në buxhetin e shtetit, që llogaritet në rreth 50 milionë euro?

Damian Gjiknuri: Buxheti i shtetit, nisur edhe nga sugjerimet e institucioneve ndërkombëtare, mendoi që ta koncensionojë këtë rrugë përpara se unë të bëhesha ministër. Kanë qenë kontrata të gjetura e të lidhura me kohë. Megjithatë, për shkak të sensibilitetit çdo qeveri reagon. Kanë qenë më të thjeshta më parë, dhe nuk ka patur ndonjë rezistencë. Në momentin që ndodhën tensionet, qeveria reflektoi. Edhe kryeministri: Po. Mbase nuk e kemi studiuar mirë efektin që mund të ketë mbi popullatën e Kukësit. Këtë kosto do ta paguajnë taksapaguesit e tjerë shqiptarë.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër si u përgjigjeni shqetësimeve të përfaqësuesve vendorë dhe organizatorëve të protestës së marsit, se janë mbajtur jashtë procesit të negociatave për tarifat e reja.

Damian Gjiknuri: Jo. Ne jemi konsultuar me bizneset e Kosovës dhe të Kukësit, dhe me qytetarët e Kukësit. Kemi vënë tarifat më minimle të mundshme. Për njerëzit në nevojë është transporti publik, i cili nuk ka asnjë impakt financiar nga kjo. Së dyti, për qytetarët e tjerë, që kanë makina private, me lëvizshmëri të shpeshtë, këto tarifa janë minimale.Më shumë impakt ka luhatja e kostos së karburantit nga lëvizjet e tregut. Së treti, për gjithë përdoruesit e shpeshtë, qoftë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të biznesit, do të kemi një ulje në bazë të një shkalle që e kemi bërë publike. E fundit, dua të them që nuk ka mënyrë tjetër për të mbajtur asete të shtrenjta publike. Përdoruesit duhet të kontribuojnë, ndryshe buxheti i shtetit do të thahej vetëm nga gjithë këto investime që janë bërë në infrastrukturë.

 

Fraksion.com