Calavera: Kosova larg plotësimit të kritereve për anëtarësim në BE; Luftimi i korrupsionit rol vendimtar
Drejtoresha për Ballkan Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim në Komisionin Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera, tha se me miratimin e demarkacionit, Kosova ka plotësuar një nga kriteret kryesore për liberalizimin e vizave.
Calavera gjatë lansimit të Programit të ri të Reformës Ekonomike, deklaroi se kolegët e saj janë gati për të prezantuar raportin me të cilin vlerësohet përmbushja e kritereve për heqjen e vizave, raporton Ekonomia Online.
“Lansimi për këtë vit po bëhet në kontest më pozitiv se vitin e kaluar. Nuk shoh të ardhme për Ballkanin përveç në BE, s’ka alternative tjetër. Kemi një zhvillim pozitiv, dua tu uroj për miratimin e demarkacionit, me këtë e keni plotësuar një nga kushtet e fundit për liberalizimin e vizave. Kolegët e mi janë gati për prezantimin e raportit për plotësimin e kritereve”.
Duke folur për programin e reformave tha se ai është shumë i rëndësishëm për Kosovën. Ajo ka shtuar se Kosova ende nuk i ka përmbushur kriteret për anëtarësim në BE, derisa ka ofruar ndihmën e institucionit evropian për përmbushjen e tyre.
“Tani kemi një bazë të mirë që të shohim fuqizim të ligjit në ekonomi. Programet janë dokumente shumë të rëndësishme për Kosovën. Konkurrueshmëria të zhvillohet, vendet e punës, zhvillimi ekonomik, kjo është ajo që presin qytetarët e Kosovës. Ky është proces që e vendos Kosovën në zemër të trajtimit të njëjtë sikur shtetet anëtare të BE-së. Kjo tregon që jemi shumë serioz t’i ndihmojmë Kosovës në plotësimin e kritereve ekonomike. Të gjitha rekomandimet duhet të zbatohen”.
Calavera ka thënë se liberalizimi i tregjeve nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me politika të mirëfillta në arsim, punësim e në luftimin e korrupsionit, raporton EO.
“Kosova të plotësojë kriteret për anëtarësim. Ekonomia e Kosovës ende nuk i ka arritur këto kriteret, por po mundohemi të bëjmë një mjedis afarist më të mirë. Liberalizimi i tregjeve nuk është i mjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me masat, politikat për arsim, punësim dhe luftimin vendimtar ndaj korrupsionit”.
“Fokuso i reformave është që të bëjmë Kosovën më konkurrues. Qeveria nuk duhet te rrezikojë stabilitetin ekonomik. Kosova deri në fund të janarit 2019 duhet të dërgojë PRE-në. Fondamentale është pjesëmarrja e Kosovës në iniciativa rajonale. BE është e gatshme të vazhdojë të ndihmojë Kosovën qoftë me ekspertizë, qoftë me financa”.
Fillimisht Calavera është takuar me kryeministrin Ramush Haradinaj, ministrat përkatës lidhur me Agjendën e Reformave Evropiane, shefat e grupeve parlamentare e përfaqësues të shoqërisë civile.
Fraksion.com