AktualitetNATO/BETë fundit

BE shqyrton ndryshime në politikat e emigracionit

Bashkimi Evropian po përgatitet për një samit intensiv dy-ditor që fillon të enjten në Bruksel – ndërsa ndryshimet rreth politikës së emigracionit kërcënojnë të përçajnë bllokun. Disa analistë thonë se samiti mund ta forcojë ose ta gjunjëzojë Bashkimin Evropian.

Më shumë se 100 emigrantë të shpëtuar nga një anije mallrash nga Libia u zbarkuan përfundimisht në Pozzallo të Siçilisë të martën, pasi kaluan katër ditë në det. Italia fillimisht nuk pranoi të lejonte anijen të ankorohej.

“Meqë koha mund të ketë pasoja në aspektin humanitar, sot i bëra apel ministrit të Brendshëm italian Matteo Salvini, që vendosi të lejojë imigrantët të zbarkojnë”, tha Roberto Ammatuna, kryetar i bashkisë në Pozzallo.

Salvini, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Lega, që është pjesë e koalicionit qeverisës italian, vizitoi Libinë të hënën dhe përsëriti kërkesat e Romës: bllokimin e anijeve të emigrantëve dhe anijet e shpëtimit, ndarjen e kuotave të imigrantëve në të gjithë Bashkimin Evropian dhe qendrat e azilit të ngritura në Afrikë. Qëndrimi i tij i ashpër kërcënon një përçarje të madhe mes aleatëve të BE-së.

“Tani, Salvini do të dëshironte të kishte një dështim monumental në BE, pasi kjo do t’i përshtatej retorikës së tij rreth Evropës, imigracionit, vetë Italisë dhe elitave politike. Sepse kjo është në fakt historia e tij”, thotë Heather Grabbe, drejtore e Institutit të Politikave të Shoqërisë së Hapur Evropiane.

Përpjekja për ta mbajtur BE-në të bashkuar ka si bazë politike aleancën franko-gjermane. Duke u përballur me presionet e brendshme mbi imigracionin, kancelarja gjermane Merkel thirri një takim urgjent mbi këtë temë të dielën – që u bojkotua nga disa shtete lindore të BE-së të cilat refuzojnë të marrin refugjatë.

“Në të vërtetë, migrimi është shumë më pak problem këtë vit se sa vitin e kaluar, sepse numri i imigrantëve që hyjnë në Bashkimin Evropian është përgjysmuar. Është shumë më pak në krahasim me atë që ka ndodhur në 2015-16. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë asgjë. Në fakt, BE-ja duhet të ketë një qasje shumë më gjithëpërfshirëse”, thotë Heather Grabbe.

Migrimi kërcënon të dominojë një samit që synon të debatojë për disa çështje të tjera të rëndësishme, si reforma e Eurozonës dhe bashkëpunimi i sigurisë, të udhëhequra nga Franca. Nëntë shtete të BE-së ranë dakord këtë javë për një forcë ushtarake të përbashkët evropiane të dislokimit të shpejtë në kohë krize.

Britania ofroi mbështetjen e saj, duke shpresuar që të ruajë lidhjet e mbrojtjes ndërsa largohet nga BE-ja. Përparimi në të ashtuquajturat bisedime të Brex-it kanë ngecur, duke ngritur shqetësimet se Britania mund të dalë marsin e ardhshëm pa një marrëveshje.

“Brexit është një prioritet i ulët për shumicën e 27 vendeve të tjera të BE-së. Është si një barrë, një pyejte teknike që kërkon shumë energji. Por aktualisht, janë këto çështje ekzistenciale me të cilat përballet Bashkimi Evropian që nuk kanë të bëjnë me Britaninë”, thotë Hans Kudnani me organizatën Chatham House.

Vitin e kaluar Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker foli për “erën që shtyn përpara velat e anijes evropiane.”

Por tani, në horizont po grumbullohen retë e stuhisë, të cilat kërcënojnë ta fundosin unitetin evropian dhe, madje disa mendojnë, edhe vetë Bashkimin Evropian.

 

Fraksion.com