AktualitetEkonomiTë fundit

Aksi Milot-Balldren: Projekti pjesë e paketës “1 miliard euro”

Një javë pas dhënies së bonusit për një kompani që do të ndërtojë me koncesion projektin në Jug të vendit për rrugën Orikum-Himarë, qeveria ka miratuar vendimin e radhës për një tjetër projekt. Bëhet fjalë për aksin Milot-Balldren edhe ky pjesë e paketës “1 Miliard euro” që do të shkojnë për disa prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, një pjesë e të cilave tashmë kanë nisur apo janë në fazë procedurash.

Kompania që ka marrë bonus prej 8.5%  të pikëve si rezultat i një propozimi të pakërkuar është “A.N.K” sh.p.k.

Rruga Milot-Balldren është pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane dhe sipas detajeve të bëra më herët publike nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, gjatësia e këtij aksi pritet të jetë 18.2 kilometra me 6 korsi dhe që ka në përbërje edhe një tunel 850 metra.

Vendimi i qeverise

V E N D I M

PËR

MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË PËR DHËNIEN ME KONCESION/PARTNERITET PUBLIK PRIVAT PËR “PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN, FINANCIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E SEGMENTIT RRUGOR MILOT-BALLDREN”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, në vijim të nenit 15, të rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale, miratuar me vendimin nr.634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, si dhe të vendimit nr.504, datë 13.9.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Miratimin e bonusit prej 8,5% (tetë presje pesë për qind) të pikëve, që i jepet shoqërisë “A.N.K.”, sh.p.k., për rezultatin teknik dhe financiar të propozimit të pakërkuar, të paraqitur për procedurën për dhënien me koncesion/partneritet publik privat për “Projektimin, ndërtimin, financimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren”.
  2. Ngarkohet Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

Fraksion.com