AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Zyrtarët nuk e zbatojnë dot politikën e “tolerancës zero”

Komisioneri i Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit, Kevin McAleenan pranoi të hënën se autoritetet nuk janë aktualisht në gjendje që të zbatojnë politikën e “tolerancës zero” të administratës së Presidentit Trump, për të ndaluar dhe ndjekur penalisht cilindo që hyn në vend në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë, zyrtarët po punojnë për të krijuar një praktikë që do të lejonte ndjekjet penale, por pa ndarë familjet.

Javën e kaluar, zoti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e ruante politikën e tij të “tolerancës zero” për ndalimin dhe ndjekjen penale të gjithkujt që hyn në vend ilegalisht, por i jepte fund praktikës së ndarjes së prindërve nga fëmijët.

Kjo lëvizje ka bërë që disa agjenci qeveritare të përpiqen të gjejnë mënyra për të strehuar migrantët që ndiqen penalisht.

Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis tha se ushtria do të ndihmonte për strehimin e imigrantëve në bazat ushtarake, përfshirë dy në Teksas.

“Nuk mund të konfirmoj detajet për mënyrën se si do të përdoren. Ne do të japim të gjithë mbështetjen që mund t’i duhet Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të strehuar njerëzit që ata kanë të ndaluar. Do t’i marrim masat javë pas jave. Shifrat natyrisht që janë dinamike, prandaj do të jemi elastikë në mbështetjen logjistike për Departamentin e Sigurisë Kombëtare”.

Po të hënën Presidenti Trump sfidoi përsëri idenë e procesit ligjor për ata që kapërcejnë kufirin, duke thënë se imigrantët që hyjnë ilegalisht në vend, duhet të kthehen menjëherë mbrapsht në vendet e tyre.

“Ne duam një sistem ku njerëzit që vijnë ilegalisht, të kthehen mbrapsht”.

Disa avokatë të të drejtave të njeriut thonë se sugjerimi i Presidentit bie ndesh me kushtetutën.

“Themeluesit e Kushtetutës thanë se procesi i duhur është për të gjithë ‘personat’ jo të gjithë qytetarët e një vendi dhe kjo në mënyrë që të gjithë personat, edhe ata që nuk janë shtetas të kenë të drejtën e një procesi. Është ndryshe nga klauzola të tjera në Kushtetutë që përdorin termin ‘qytetarë’ për të nënkuptuar që ata që nuk janë të tillë, nuk përfitojnë. Procesi i duhur ligjor është për të gjithë”, thotë Lee Gelerent një jurist i Projektit për të Drejtat e Imigrantëve të Bashkimit Amerikan të Lirive Civile.

Prokurori i Përrgjithshëm, Jeff Sessions tha se imigrantët e paligjshëm duhet të ndiqen penalisht për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë.

“Do të ishte një ofendim për ata që vijnë këtu ligjërisht, duke pritur radhën, duke bërë aplikimin. Dhe çka është më e rëndësishme, do të nxiste dhe ka nxitur më shumë të rritur të sjellin fëmijë në mënyrë të paligjshme në një udhëtim të rrezikshëm që i vë fëmijët në rrezik të madh”.

Ndërsa protestuesit u mblodhën para një objekti ku janë strehuar imigrantë në një qytet kufitar në Teksas kundër krimininalizimit të tyre, Shtëpia e Bardhë akuzoi demokratët në Kongres se kanë refuzuar çdo zgjidhje të propozuar nga republikanët për “të ndrequr sistemin”./VOA

 

Fraksion.com