Rëndësia e një emri: NATO në prag të zgjerimit?
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se pret që udhëheqësit e aleancës ushtarake, të vendosin në samitin e muajit të ardhshëm që të nisin zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë. Komentet e tij u bënë përpara një takimi të ministrave të mbrojtjes të BE-së në Luksemburg. Lajmi vjen pasi Athina dhe Shkupi kanë ranë dakord t’i japin fund një mosmarrëveshjeje të gjatë mbi dhjetëvjeçare lidhur me emrin e Maqedonisë. Tre vende të tjera kanë shprehur gjithashtu interesin për t’iu bashkuar aleancës. Por çfarë do të thotë kjo për NATO-n dhe cilat janë pasojat për Rusinë?
Ku qëndron rëndësia e një emri? Në rastin e Maqedonisë ishte pengesa e fundit e mbetur për anëtarësimin e saj në NATO. Athina e ka kundërshtuar hyrjen e Maqedonisë për shkak të shqetësimeve që ish-Republika Jugosllave mund të shfaqte pretendime territorial ndaj rajonit grek me të njëjtin emër.
Për NATO-n, që mban samitin e saj të radhës muajin e ardhshëm në Bruksel, rritja e numrit të vendeve anëtare nënkupton aftësi më të madhe për të çuar përpara qëllimet e përbashkëta dhe për të përmbushur sfidat e reja.
“Në një kohë kur njerëzit janë të shqetësuar për NATO-n, sfidën që vjen prej Rusisë dhe ndarjet që ekzistojnë në Grupin e Shtatëshes, ndërsa ka shumë paqartësi në lidhje me atë që Shtetet e Bashkuara po bëjnë me aleatët evropianë, mendoj se kjo tregon në mënyrë konkrete se gjërat funksionojnë, se aleanca është ende e rëndësishme”, thotë Damon Wilson i Këshillit të Atlantikut.
Në një kohë që Rusia ushtron në mënyrë aktive ndikimin e saj në Evropë, sipas ekspertit për politikën e jashtme Garret Martin, zgjerimi i NATO-s ka të bëjë me të qënit relevant dhe përmirësimin e sigurisë kolektive për të gjitha vendet anëtarëve.
“Sigurisht që ngjarjet në të shkuarën të lidhura me Gjeorgjinë dhe Ukrainën kanë dhënë përshtypjen se ndoshta zgjerimi do të jetë diçka që i takon së kaluarës, por mendoj se simbolikisht është e rëndësishme që NATO të tregojë se është ende një aleancë që vazhdon të rritet e të lulëzojë”, thotë Garret Martin i Universitetit Amerikan.
Sipas ish-nënsekretarit të përgjithshëm të NATO-s Alexander Vershbow anëtarësimi i vendeve që kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar aleancës do të thotë përmirësim i stabilitet politik dhe ekonomik të tyre.
“Kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme dhe mosmarrëveshje për disa çështje, por mendoj se këto dallime janë shumë më të lehta për t’u menaxhuar kur të gjithë jemi anëtarë të të njëjtit klub”, thotë Alexander Vershbow, i Këshillit të Atlantikut.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg thotë se zgjerimi i NATO-s është një fitore e dyanshme si për aleancën ashtu edhe për vendet e tjera që kufizohen me Rusinë të cilat synojnë të anëtarësohen përfshirë këtu Ukrainën, Bosnje-Hercegovinën dhe Gjeorgjinë. Në rastin e Maqedonisë mbeten ende disa pengesa. Ndërsa të dyja palët duken pranë arritjes së një marrëveshjeje, ligjvënësit në Athinë dhe Shkup duhet ende të miratojnë referendume për ndryshimin e emrit përpara se NATO të marrë vendim për anëtarësimin e vendit që aktualisht njihet si ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, si anëtari i 30-të i Aleancës së Atlantikut të Veriut./VOA
Fraksion.com