Pensionet, 2017: Plotësuan kriteret për pension 22 mijë persona, por 76% morën pagesën
Vitin e kaluar, mbi 22 mijë persona mbushën moshën e pensionit, por vetëm 75.9% e tyre arritën të përfitonin menjëherë pagesën, ndërsa rreth 5300 persona nuk e morën atë.
Sipas statistikave zyrtare nga skema e pensioneve, numri i personave që plotësojnë kriteret për pagesën po rritet nga viti në vit, për shkak të plakjes së popullsisë, por, nga ana tjetër, problemet me dokumentacionin dhe koha që duhet në vlerësimin e dosjeve, bëjnë që jo të gjithë personat që plotësojnë kriteret të nisin e të marrin pagesën, sipas Monitor.
Nga momenti që një person plotëson moshën e daljes në pension dhe bën aplikimin përkatës duhen së paku tre muaj për vlerësimin e dosjes. Por ekspertët nga ISSH bëjnë të ditur se shpeshherë vlerësimi i dosjeve kërkon më shumë kohë, për shkak të mungesës së dokumentacionit. Prandaj, sipas tyre, jo të gjithë personat që plotësojnë kriteret gjatë një viti kalendarik do të mund të marrin pagesën menjëherë.
Pensionistët shqiptarë në tre dekadat e fundit janë ndeshur shpesh me problematika që kanë të bëjnë me dokumentacionin për mospagesën e rregullt të kontributeve.
Në fillim të viteve 1990, për ish-ndërmarrjet bujqësore ka munguar dokumentacioni dhe më pas gjatë tranzicionit dhe ngjarjeve të vitit 1997, shumë arkiva janë dëmtuar.
Për të vërtetuar vitet e tyre të punës, shumë pensionistë tani duhet të hapin procese gjyqësore që, me anë të dëshmitarëve, të vërtetojnë vitet dhe pozicionin e punës. Mirëpo, duke qenë se pensionet false kanë qenë një fenomen i përhapur pas viteve 1990, nevoja për konsolidim në buxhetin e sigurimeve ka sjellë vështirësi të reja.
Ka shumë raste që një pozicion pune i caktuar është dubluar me të tjerë që kanë përfituar pensione false. Kur vjen mosha e pensionit, personi që ka kryer punën me të vërtetë, has në vështirësi për të fituar të drejtën e pensionit.
Gjykatat dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve kanë forcuar kriteret për vlerësimet, kështu që shumë persona në moshë pensioni janë duke hasur vështirësi për të vërtetuar vitet e punës me dëshmitarë.
Fraksion.com