Pendarovski: Përveç NATO-s, alternativat tjera nuk janë të mira për Maqedoninë
Sot në Shkup në organizim të Institutit për strategji dhe zhvillim (ISD) u mbajt diskutimi me temë: “Aspektet pozitive dhe negative nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO”, në të cilin koordinatori kombëtar i Maqedonisë për NATO, Stevo Pendarovski porositi se të gjitha alternativat tjera, përveç anëtarësimit në NATO, nuk janë të mira për vendin.
Pendarovski tha se BE-ja dhe NATO-ja janë shkolla për demokraci dhe qëllime strategjike të Republikës së Maqedonisë, duke theksuar se vendi duhet të orientohet në hapësirën gjeografike ku jeton.
“Shtetet e vogla duhet të bëjnë aleanca me të tjerët, edhe të vogla edhe të mëdha dhe përmes organizatave ndërkombëtare ta rrisin fuqinë dhe ndikimin e tyre. Nëse je vet dhe i izoluar nuk mund të jesh shtet demokratik dhe i pasur”, tha Pendarovski.
Ai porositi se Maqedonia doemos duhet të shikojë interesin e saj strategjik.
“Ne doemos duhet të shikojmë se ku është interesi ynë strategjik dhe më pas doemos t’u tregojmë të gjithëve se hyrja jonë në NATO dhe BE nuk ka kurrfarë qëllimi të keq ndaj Rusisë, Kinës, ndaj kujtdo tjetër që nuk është në këto organizata”, theksoi Pendarovski.
I pyetur të komentojë ndikimin rus mbi skenën politike të Maqedonisë, Pendarovski tha se prania ruse është forcuar gjatë tre viteve të fundit jo vetëm në vend, por edhe në rajon, kjo është e pakontestueshme dhe legjitime, duke shtuar se për herë të parë lajmërohen parti në vend që deklarohen si proruse.
Duke folur për befenitet e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, Pendarovski theksoi se i vetmi nga projektet e mëdha strategjike që mbështetet nga të gjitha bashkësitë në Maqedoni është anëtarësimi në NATO, që sipas tij është faktori kryesor kohesiv në shoqëri.
Po ashtu, lidhur me benefitet e anëtarësimit në NATO, Pendarovski deklaroi se shtetet janë anëtare të kësaj aleance edhe me qëllim që t’u kundërpërgjigjen sfidave të reja të sigurisë siç janë sulmet kibernetike, kërcënimet asimetrike, luftërat hibride, por edhe për shkak të bashkëpunimit dhe shpërndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe parandalimit të sulmeve.
Pendarovski potencoi edhe problemin e të kthyerve nga luftërat e Lindjes së Mesme, për të cilat tha se ekzistojnë edhe në Maqedoni, me ç’rast tha se:
“Dy sulme për 18 muaj në territorin e Maqedonisë nga këta njerëz janë parandaluar pasi morëm të dhëna të inteligjencës nga partnerët, miqtë tanë të Perëndimit. Si dhe një sulm në një qytet të madh evropan perëndimor është parandaluar pasi shërbimet tona të dhëna për një njeri që u kthye nga Siria dhe e përcollën atje”.
Marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit maqedonas-grek për emrin dhe partneritet strategjik, Pendarovski e vlerësoi si gjënë më të mirë që ka mundur të ndodhë në këtë kontekst politik.
Për vendimin e presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov që të mos e nënshkruajë Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë, ai tha se kjo pritej.
Për referendumin e paralajmëruar për në vjeshtë në të cilin qytetarët do të prononcohen për Marrëveshjen me Greqinë, Pendarovski theksoi se nëse në referendum qytetarët eventualisht prononcohen me “jo” për marrëveshjen, në atë rast negociatat do të vazhdojnë në ndonjë kohë të ardhme me ndonjë gjeneratë të ardhshme të politikanëve.
Nga ana tjetër, për atë sa është interesimi i NATO-s që një vend si Maqedonia të anëtarësohet në Aleancë, Pendarovski thotë se “Maqedonia ka territor të tillë në krahun jugor të NATO-s dhe meqë dëshirojnë ta rrumbullakojnë projektin në të cilin të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të ishin në Aleancë ndryshe do të “ishin zorrë qorre” nga aspekti i sigurisë./AA
Fraksion.com